Ata janë aktorët më të famshëm në Turqi, por me rolet e tyre kanë fituar zemrat e audiencës në shumë vende të botës. Serialet turke arritën të thyenin rekorde shikueshmërie edhe në Shqipëri. Ajo që është me interesantja është fakti që shumë nga aktorët më të njohur në Turqi janë me origjinë shqiptare.
Kivanç Tatlitug, aktori shumë i suksesshëm, i njohur ndryshe si Brad Pitt i Turqisë, ka pranuar në një intervistë se babai i tij është me origjinë nga Prishtina. Kivanç është i njohur për rolet e tij në serialet “Dashuri e Ndaluar”, “Kuzey dhe Guney”, “Menekshe dhe Halil” etj, të transmetuara në Tv Klan dhe së fundmi e shohim në “Ironia e Fatit”.
Halit Ergenç, njihet nga të gjithë si “Sulejmani i Madhërishëm”. Pak kohë më parë ai ka pranuar se origjina e tij është nga Shqipëria. “Mund të them me gojën plot se në damarët e mi ka gjak shqiptari”, ka thënë aktori në një intervistë.
Can Yaman është një nga aktorët më të përfolur, jo vetëm në shtetin turk, por edhe në Europë, Itali dhe Spanjë, ku ka patur një numër të roleve në seriale si “Zog i hershëm”, “Hëna e Plotë”, etj. Ai ka pranuar se të dy gjyshërit e tij janë me origjinë shqiptare.
Engin Altan Dyzyatan, aktori shumë i përfolur në Turqi, por që u bë shumë i famshëm edhe në Shqipëri me rolin e tij kryesor në serialin “Ertugrul” ka deklaruar në mediat turke se ka lidhje me Shqipërinë, pasi prejardhja e tij është shqiptare.
Nuretin Sonmez është emri i vërtetë i aktorit që luan rolin e Bamsi, të cilin e kemi parë tek “Ertugrul”. Në një intervistë televizive ai ka pranuar se ka origjinë shqiptare. Baris Arduç është aktori që u pëlqye me shikim të parë. Ai na u prezantua në serialin “Dashuri me Qira”. Baris, përveçse ka deklaruar se është me origjinë shqiptare nga ana e të atit, flet shumë bukur edhe shqipen.
I ftuar tek Rudina pasditen e kësaj të hëne, drejtori i Programacionit në Tv Klan, Albert Dumani tha se në Stamboll kishte takuar shumë prej yjeve të kinematografisë turke, “por ata me origjinë shqiptare ishin në Kanë.”
“Ishte një eksperiencë shumë e bukur. Çdo vit në Kanë zhvillohet panairi më i madh i televizionit, ku e gjithë bota, të gjitha kompanitë e produksionit mblidhen. Aty ndodh gjithçka. Ka premiera filmash botërorë, ka takime që unë i zhvilloj me kompanitë dhe producentët. Këtë vit kishte edhe një prurje shumë të madhe të aktorëve turq më të mirë të momentit. Kryesisht, aktorë që presin të nisin serialet e reja. Duhet thënë që e gjitha Kana ishte e mbushur me postera gjigantë të serialeve turke. Spanja ka filluar transmetimin, në Itali “Sky Italia” dhe “Mediaset”, Amerika Latine, Peruja, Kili, Argjentina.”
Dumani rrëfen edhe prezantimet me aktorët me origjinë shqiptare.
“Ajo që të bën përshtypje tek yjet turq është thjeshtësia, ti bisedon me ta, pi diçka me ta. Janë shumë kuriozë të dinë cilat seriale janë transmetuar në Shqipëri. Nisur dhe nga fakti që disa prej yjeve janë edhe me origjinë shqiptare, dhe sa ju thoja jam nga Shqipëria më thonin “edhe unë jam shqiptar””.
Dumani tha se kishte takuar edhe Burak Ozcivit, i cili do të luajë rolin e Osmanit, në serialin që do të pasojë Ertugrul. “Ertugruli i famshëm përfundon epokën e tij, dhe tashmë djali i Ertugrulit që është transmetuar për 5 vite në Tv Klan, do të nisë në dhjetor me episode të reja të Osmanit, tashmë interpretuar nga Ozcivit.”
Në lidhje me rëndësinë e Festivalit të Kanës, Dumani tha: “Ti aty i shikon të gjitha prodhimet. Kujtojmë qe vetëm Turqia prodhon mbi 30 seriale në sezon televiziv. Po ashtu edhe spiralet amerikane. E gjitha bota mblidhet në Festivalin e Kanës dhe aty prezantohen të gjithë produksionet e reja. Është një mundësi shumë e mirë për të qenë në kontakt të drejtpërdrejtë dhe për të parë kush është trendi i momentit. Jo vetëm për serialet turke, por për të gjitha llojet e serialeve botërore.”