Edhe ata që nuk duan të dinë për futbollin, e njohin, me siguri, trainierin e Kombëtares Shqipëtare të futbollit, Gianni De Biasin. Kur Shqipëria u pjesë e Kampionatit Europian, vitin që shkoi, trainieri italian u shndërrua në një nga njerëzit më të rëndësishëm të vendit tonë.
Por kush është Gianni De Biasi përtej fushës së futbollit?
Çfarë bën me kohën e lirë?! A i shkon ndërmend kujt që kur nuk është përreth topit kalon kohën mbi sobë apo duke rregulluar lulet e kopshtit?
Këto e të tjera do t’i zbuloni në intervistën e Living…
Nga Gentian Minga
Është e lehtë të drejtosh skuadrën e një vendi të vogël dhe jo me kaq shumë talente sa, për shembull, në Itali?
Po të bëj një pyetje… “Është më e lehtë të fitosh garën e ‘Formula 1’ me një makinë të fortë e një pilot të mirë, apo me një makinë më pak të fuqishme dhe me një pilot më pak të zotin? Është më e lehtë të fitosh me një skuadër me lojtarë të mëdhenj dhe me një buxhet të madh, apo me një klub të vogël që nuk ka shumë financime?” Gjatë karrierës sime kam stërvitur si lojtarë të rinj, ashtu edhe lojtarë me përvojë, yje si Robby Baggio, apo Antonio Di Natale, Gigi Di Biaggio, Alexis Sanchez. Të gjithë këta kanë personalitete dhe pika të forta të ndryshme, por pastaj është inteligjenca e trajnerit në adoptimin e strategjive të duhura për të nxjerrë në pah më të mirën e secilit prej tyre.
Ç’do të thotë për ju pasaporta shqiptare? Disa nga ne janë të gatshëm të heqin dorë prej saj, për një pasaportë me të cilën mund të lëvizin lirshëm nëpër botë, si për shembull, atë amerikanen, kurse ju…
Nëse një italian tjetër do të kërkonte pasaportën pas tre vjetësh, nuk do ta merrte dot. Unë besoj se e kam pasur të lehtë, sepse kam luajtur gjithmonë rolin e “ambasadorit” të shqiptarëve në Europë. Sigurisht që shpesh në intervistat e mia, jam përpjekur të shpjegoj se ekziston një Shqipëri, njerëzit e së cilës punojnë dhe luftojnë për të qenë pjesë e Europës dhe se stereotipat e shqiptarëve jashtë kufijve janë të ngjashëm me ato të italianëve të shumë viteve më parë. Për mua, pasaporta shqiptare do të thoshte edhe të ishe pjesë e një projekti, në të cilin dhamë shpirtin dhe zemrën tonë, si ai i Kombëtares. E kuptoj vështirësinë që keni për ta kuptuar këtë dhe shpesh miqtë shqiptarë më pyesin nëse dua t’u jap pasaportën time italiane.
Ju kanë vënë një nofkë në shqip, Gani Abazi. Një emër i zakonshëm te ne. Ju pëlqen?
Po, e di, është emri im në shqip e duhet ta pranoj se shumë njerëz më thërrasin kështu. Nuk është se e kam problem dhe shumë shpesh, edhe qesh me këtë, por unë do të jem gjithmonë Gianni De Biasi.
Jeni shndërruar të gjithë shqiptarë në familjen tuaj, se edhe vajza, Chiara Sofia është bërë një tifoze e çmendur e skuadrës sonë kombëtare.
Vajza ime më do dhe më qëndron shumë afër. Ajo bën tifozllëk për të gjitha skuadrat që drejton babai i saj. Shumë shpesh, me miqtë e saj organizojnë një tifozeri të zjarrtë kur ndjekin ndeshjet e Kombëtares.
Si ka ndikuar Shqipëria në aspektin personal? Cili është raporti që keni me vendin tonë, ushqimin, njerëzit, si ju duken natyra, klima dhe gjithçka tjetër?
Ashtu si po thosha edhe më parë, profesioni im është global. Përpiqem të përditësohem me gjithçka që ndodh në vend. Kam shkuar nga jugu në veri, madje e kam përshkuar vendin me biçikletë. Rrugët nuk janë të përshtatshme për të lëvizur me biçikletë, sepse jo të gjitha janë të asfaltuara dhe ka shumë trafik, por ka disa rrugë të bukura. Sa herë që shëtis në Tiranë, njerëzit habiten kur më shohin e më përshëndetin me mirënjohje dhe përzemërsi.
Na ka bërë përshtypje fakti se faqja juaj në internet është në tre gjuhë, në italisht, anglisht dhe shqip. Ide shumë e bukur.
Po, falë ndihmës së “webmaster”-it, Simones, arritëm të shtonim dhe gjuhën shqipe, përveç asaj angleze, e cila
ishte ekzistuese. Është një mënyrë për të qenë më afër tifozëve shqiptarë, të cilët vizitojë faqen time të internetit.
Një nga kapitujt e biografisë suaj në faqen e internetit ka si nëntitull “Për babanë tim”. Pse ky dedikim?
Për fat të keq, ai ndërroi jetë shumë shpejt dhe më la një boshllëk të madh në shpirt, sepse nuk pata kohë të flisja sa doja me të… Kur je fëmijë, nuk e ndien nevojën të flasësh me babanë. Mjafton ta dish se është aty. Më pas, kur u rrita dhe u bëra futbollist, i rashë Italisë rreth e rrotull dhe jetova larg tij për 17 vjet. Kthehesha rrallë në shtëpi. Jetova pranë tim eti vetëm gjatë ditëve të fundit të jetës së tij dhe ky është një kujtim i pashlyeshëm.
Ka qenë më e bukur familja ku jeni rritur, apo familja që keni krijuar ju vetë tani?
Janë të dyja shumë të bukura. Në familjen e fëmijërisë sime ishin gjyshi dhe gjyshja, prindërit e mi, tetot, kushërinjtë. Ishte ndryshe nga tani. Kam qenë një fëmijë me fat, sepse gjyshërit kishin një dyqan me ëmbëlsira dhe lodra. Ndërsa familja ime tani përbëhet vetëm nga tre anëtarë. Bota ka ndryshuar shumë gjatë këtyre viteve dhe me një shpejtësi marramendëse. Uroj që pas disa vjetësh, të mos kem pendesa e të mbaj në prehër nipërit dhe mbesat. Do t’ju flas atyre për një skuadër të vogël, e cila u bë e madhe…
Si e kaloni kohën e lirë kur s’jeni duke punuar me futbollistët?
Kur kam ndonjë ditë të lirë, më pëlqen të merrem me kopshtin e shtëpisë sime, të pres barin, të shëtis në kodër apo të bëj ndonjë xhiro me biçikletë.
Si i keni marrëdhëniet me gatimin, dekorimin e shtëpisë, veshjet… Jeni njeri praktik, apo I sofistikuar, të cilit i pëlqen të jetojë mirë?
Më pëlqen të gatuaj dhe kërkoj gjithmonë receta të reja, të cilat shpesh I gatuaj për miqtë tanë. Shtëpia është arreduar me kujdes, falë shijes së mirë të gruas sime, Paolës. Vishem pothuajse gjithmonë me pantallona, këmishë e bluzë sipër, ose me këmishë dhe xhaketë sipër, nëse do të shkoj në ndonjë ceremoni. Më pëlqen të udhëtoj dhe ta kaloj verën në shtëpinë time në Sardenjë.