25-vjeçari Aldo Ymeraj i cili u arrestua nga policia shqiptare, pasi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SHBA, në fushën e krimeve kibernetike, jetonte me nënën e tij në Fier.
Ai kishte studiuar për pikturë dhe nuk njihej shumë në qytet.
Në jetën reale, Aldo Ymeraj njihet si një i ri vetmitar dhe i mbyllur.
Bazën e kishte në vendlindje, aty ku policia pas arrestimit po ushtron kontroll.
Nuk dihet nëse do të bëhej piktor i mirë përderisa studioi pikturë për 4 vjet në shkollën artistike “Jakov Xoxa”, por Aldo Ymeraj rezulton një gjeni në fushën e kibernetikës.
Me prindër të divorcuar, djali i pronarit të një shtypshkronje në Fier, Ymeraj punonte herë pas herë në biznesin e të atit.
Nuk është e qartë se si përfundoi mes grupit të shumëkërkuar nga FBI që akuzohen se kanë përvetësuar nëpërmjet marifeteve të internetit 530 milionë dollarë.
Jeta virtuale
Në jetën virtuale ai quhet “Kubanezi”, pjesë e një rrjeti hakerash prej 10 mijë anëtarësh.
Por si çdo hakerues në internet të dhënat e tij nuk ekzistojnë, ai nuk ka Facebook dhe as llogari tjetër me këtë emër.
E vetmja foto është ajo e disa viteve më parë përpara se ai të ishte 20 vjeç, në një faqe ku komentet më të shumta i merr nga Ukraina, shkruan TCH.
Djali nga Fieri e nisi duke thyer fjalëkalime në Facebook për të përfunduar në një grup ndërkombëtar të krimeve kompjuterike që vidhte Bitcoin me vlera disa milionëshe, karta krediti dhe llogari bankare.
Por emri i Aldo Ymeraj u bë i njohur për policinë vendase gjatë goditjes së grupit AHG, Albania Hackers Group i cili solli jo pak shqetësim në bllokimin e serverave të institucioneve shtetërore dhe mjaft shoqërive private.
Por ky arrestim duket se më pas vetëm sa e perfeksionoi talentin e hackerues-it Ymeraj i cili sipas kësaj skeme rezulton të jetë mes 36 anëtarëve të grupit ndërkombëtar “In froud we trust, “Në mashtrim ne besojmë”.
Operacioni që nisi nga SHBA
Aldo Ymeraj u prangos teksa po pinte kafe në një lokal në Tiranë për llogari të një flete arresti të lëshuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që drejtuan në të njëjtën kohë një operacion disa shtetesh për të goditur hakeruesit që besohet se kryenin krime kompjuterike që prej 2010.
Grupi që vodhi 530 milionë dollarë
Grupi ku Aldo Ymeraj ishte pjesë ka mundur të vjedhë 530 milionë dollarë, që përvetësoheshin përmes shitjes së të dhënave të vjedhura të kartave të kreditit.
Por i riu nga Fieri që prej arrestimit nuk ka thënë asgjë për autoritetet shqiptare, ndërkohë që pritet që ai ti dorëzohet drejtësisë amerikane.
Perveç Ymerajt janë edhe 12 të tjerë të arrestuar në Kosovë, Serbi, Itali, Francë, Shtetet e Bashkuara, Australi dhe Britani.
Grupi mendohet se është themeluar nga 34-vjeçari ukrainas Svatoslav Bondareko i njohur me nofkën “Rektori”, por vendndodhja e tij nuk është zbuluar ende.
Nga ana tjetër, rusi Sergei Sergejeviç që mendohet se është njëri nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë u arrestua gjatë pushimeve në Tajlandë.
“In fraud we trust” përdorte një forum në internet ku blinte dhe shiste karta krediti dhe llogari bankare të vjedhura, numra të sigurimeve shoqërore dhe informacione të tjera personale.
Por siç dyshon Departamenti i Drejtësisë amerikane kjo organizatë ka 10.901 anëtarë.
Xhon Kronan, ndihmësi në detyrë i Prokurorit të Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, tha se operacioni ishte një prej më të mëdhenjve të ndërmarrë ndonjëherë nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë.