Në thellësi të një pylli me pisha në Gjermaninë Lindore, rri një statujë e Leninit që duket se ruan ndërtesën e verdhë dhe në dukje glamuroze. Por nga brenda, shtëpia mban histori të errët të Evropës komuniste, ku janë strehuar liderët e regjimeve nga Kaiser Willhelm II, deri te nazistët e sovjetikët.
Tani një kompleks i braktisur ushtarak – i njohur si Qyteti i Ndaluar – vendi rrethohet nga grilat e thurura që e ndajnë atë nga lagjja e qetë e Vunsdorf. Qysh nga tërheqja e ushtarëve sovjetik 25 vite më parë, ndërtesa ka mbetur plotësisht e zbrazët.
Por ndërtesa nuk ishe gjithnjë kjo që është sot. Ajo dikur strehonte rreth 40.000 ushtarë që stërviteshin e disa edhe jetonin këtu. Madje, për kohën e atëhershme, zona quhej “Moska e vogël e Gjermanisë Lindore”.
Rreth 500,000 trupa sovjetike u vendosën në të gjithë Republikën Demokratike Gjermane – e njohur ndryshe si Gjermania Lindore – gjatë Luftës së Ftohtë, dhe kjo bazë ushtarake e fshehur në pyll ishte selia e tyre.
“Ishte mbushur me shkolla, dyqane”, thotë Borchert, 67 vjeç, burrë që var cigaren në buzë ne stilin sovjetik.
Raftet e dyqaneve ishin të mbushura me “produkte sovjetike dhe revista sovjetike”, thotë ai. Dhe të gjitha janë mbyllur pas rënies së murit 17 kilometërsh, i cili ndodhej pak më shumë se një orë larg nga aty.
Me gjithë mallrat e njohura nga mëmëdheu, jeta ishte e kufizuar shumë për ushtarët që ishin vendosur këtu për një kohë të gjatë.
Nuk kishte “asnjë pushim, asnjë vizitë nga familja”, thotë Borchert. Megjithëse kishte trena të përditshëm që shkonin drejt dhe nga kryeqyteti Sovjetik, ata jetonin në izolim të plotë.
Për oficerët e rangut më të lartë dhe gratë e fëmijët e tyre shoqërues, kjo ishte një histori ndryshe. Ata u vendosën për 12 vjet dhe shijuan pjesët më luksoze të bazës ushtarake, si pishina dhe teatri i saj i shkëlqyeshëm.
Kur të fundit nga personeli sovjetik u larguan në vitet 90’, vendi mbeti bosh – me përjashtim të adoleshentëve vendas që e përdorën atë si një vend për t’u argëtuar, thotë Borchert, duke treguar shishe të zbrazëta birrash dhe grafite “kryengritëse”.
Sot muralet e pikturuara të heronjve komunistë po zhvishen nga muret. Barërat e këqija vazhdimisht mbijnë nga rrathët e dritareve të kalbura. Myku tani po zvarritet nëpër dhomat që dikur ishin strehë e ushtarakëve të më rëndësishëm në historinë e vendit.
Banorët e famshëm
Baza ushtarake u përurua në fund të shekullit të 20-të dhe mburret me një numër të madh të banorëve ndër vite.
Një dhomë me tavan të lartë dhe me një pamje fenomenale dikur ishte sallë ngrënie për oficerët e Luftës së Parë Botërore, shpjegon Borchert.
Vite më vonë, e njëjta dhomë u shndërrua në një kazino për nazistët. Dhe së fundmi u përdor si një sallë koncertesh për oficerët sovjetikë dhe familjet e tyre.
Teksa ecni përgjatë shtigjeve të kopshtit të mbushura me barërat e këqija, do të shihni pishinën e zbrazët, e të mbuluar nga algat përreth. Bochert, si një dëshmitar i kohës, na tregon një teatër të rrënuar –ku shihen qindra karrige të kuqe të pluhurosura.
Këtu, oficerët kënaqeshin me shfaqjet e teatrit të Bolshoit, baletin dhe koret që u dërguan nga Moska.
Për gjermanët vendas që jetonin jashtë mureve të tij, ky ishte një “vend i ndaluar”, kujton Michaela Schreiber, një kryebashkiake e cila u rrit në qytetin Zossen, ku ndodhet baza.
”Vetëm disa qytetarë të zgjedhur u lejuan të hyjnë”, thotë Schreiber, e cili këtë shtator i dha fund mandatit 16-vjeçar si kryetare e qytetit.
Kur Muri i Berlinit më në fund u rrëzua në vitin 1989, ushtarët sovjetikë që jetonin në Wünsdorf e kupuan përmes televizorit. Trupat e fundit ruse u larguan të fundit nga kompleksi ushtarak. Kryetari i tanishëm i bashkisë së Zossen në atë kohë, Werner Lesse, kujton që ushtarët “u detyruan të largoheshin shpejt”.
Pasi u larguan, Werner dhe vendasit e tjerë gjermanë arritën të shikonin se çfarë brenda kazermave misterioze. “Pamë drekën e shtruar në tryezat e tyre,” thotë Werner. “Ushtarët dhe oficerët rusë me familjet e tyre e dinin se do të duhej të largoheshin, por nuk dihej një kohë precize. Pas aq vitesh që jetonin në këtë vend, ua dhanë vetëm 12 orë kohë për t’u larguar”.
“Ne gjetëm kafshë shtëpiake të braktisura – mace, qen”, shton Werner.
Një brez i ri vizitorësh
Sot zona operohet nga kompania e zhvillimit EWZ, me fonde nga pushteti vendor. Rreth 1,700 apartamente moderne tani janë rikonstruktuar nga kazermat e vjetra të ushtarëve, thotë ish kryetarja e komunës, Schreiber. 700 njësi të tjera banimi do të rikonstruktohen ose do të ndërtohen në zonë, shton ajo.
Ndërtesa e madhe e oficerit, ajo me ngjyrë limoni, është ende në pritje të një blerësi. Këto ditë zona tërheq gjithsej 90 vizitorë çdo të diele, ku vizitat zhvillohen përmes kompanisë Bücherstadt-Tourismus GmbH. Ata vijnë për të parë një kujtesë fantazmë të “Moskës së Vogël” në pyllin gjerman, duke analizuar gjurmët e banorëve të saj të famshëm.