Extra Njihuni me Salvador Balliun, kryebashkiaku me origjinë shqiptare i një qyteze katalanase

Njihuni me Salvador Balliun, kryebashkiaku me origjinë shqiptare i një qyteze katalanase

Nga Ola Goroveci

Me shumë siguri rasti i futbollistit spanjoll Ivan Balliu bëri bujë në Shqipëri në vitin 2017, pasi rezultoi se kishte origjinë shqiptare.

Federata Shqiptare e Futbollit i ofroi të luante me kombëtaren, pasi mbiemri Balliu, një ndër mbiemrat më të hasur në Shqipëri, e lidhte atë me kombin e shqiponjave.

Ivan Balliu i tha “Po” ofertës së Federatës Shqiptare, duke bërë që ai të përballej në një ndeshje me Spanjën veshur me fanellën kuq e zi.

Në fakt, media të shumta spanjolle filluan ta “thumbonin” me artikuj Ivanin pasi ai u pajis me pasaportë shqiptare.

Provinca e Katalonjës dhe shteti spanjoll kanë qenë në konflikt të pandërprereë ndër vite për faktin se Katalonia kërkon të shpallë pavarësinë. Ky konflikt u thellua edhe më shumë në vitin 2017, kur ish-presidenti i provincës Carles Puigdemon shpalli Katalonjën Republikë për vetëm disa minuta.

I ati dhe e gjithë familja e tij mbështesin publikisht pavarësinë e Katalonias. Mediat nuk ngurruan të shkruanin se Ivani nuk do të mund të luajë kurrë për kombëtaren katalanase pasi nuk ka për të ekzistuar. Sipas tyre, për këtë arsye ai vrapoi për të gjetur origjinën e paraardhësve për t’i shpëtuar kombëtares spanjolle.

Por kush është Salvador Balliu, kryebashkiaku i Caldes de Malavella me origjinë shqiptare?

Pavarësisht se lindi në Spanjë, në provincën e Katalonjës, sipas kërkimeve që bënë për paraardhësit e tyre, stërgjyshi i Salvador-it rezulton shqiptar.

Nuk dihet saktësisht se nga cila pjesë e Shqipërisë ka qenë, por dihet se Balliu nuk është as mbiemër spanjoll e as katalan, por shqiptar.

Salvadori ka vite që i shërben qytezës së Caldes de Malavella si kryebashkiak. Në vitin 2023 ai u rizgjodh përsëri, pasi simpatizantët e tij ia besuan edhe një herë detyrën.

Ishte Salvador Balliu ai që nxitoi të bënte kërkime rreth origjinës së tyre dhe arriti të mblidhte dokumentat e nevojshme në mënyrë që Ivani të luante me kombëtaren shqiptare.