Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njoftoi këtë të shtunë se kanë përfunduar tërësisht procedurat e brendshme nga pala italiane lidhur me marrëveshjen për njohjen e ndërsjellë të lejeve të drejtimit mes Shqipërisë dhe Italisë.
Sipas Ministrisë, kjo marrëveshje do të hyjë në fuqi pas 60 ditësh, më konkretisht më datë 12 Korrik 2021.
Njohja e ndërsjellë e lejeve të drejtimit mes dy vendeve u dakordësua më 12 Mars të këtij viti gjatë vizitës së Ministres për Europën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka në Itali.
Ndërsa më datë 18 Mars, marrëveshja u firmos në Tiranë mes Ministres Xhaçka dhe Ambasadorit italian në Shqipëri, Fabrizio Bucci.