Është dashur më shumë se një vit e gjysmë që marrëveshja për njohjen e patentave shqiptare në Greqi të dërgohet për miratim në parlamentin grek. Dokumenti u firmos në maj të vitit 2018, ndërkohë që sipas Ministrisë së Shtetit për Diasporën, ajo është dërguar në parlamentin e shtetit fqinj në datën 30 dhjetor 2019.
Sipas ministritë shqiptare, miratimi i saj pritet të jetë një nga aktet e para të ligjvënësve grekë për vitin 2020, ndërkohë që vetëm pas miratimit të dy parlamenteve, marrëveshja do të hyjë në fuqi. Referuar dokumentit të firmosur në vitin 2018, shtetasit shqiptarë, që janë të pajisur me një patentë të modelit I, të lëshuar nga data 01.07.2005 ose modeli II, lëshuar nga data 24.01.2017, mund të drejtojnë mjete në territorin grek, brenda periudhës së vlefshmërisë së leje drejtimit, për sa kohë nuk kanë vendosur rezidencën normale në shtetin grek.
Ndërkohë që, në momentin që shtetasit shqiptarë vendosin rezidencën normale në Greqi, ata mund të konvertojnë patentën shqiptare, në greke, duke paraqitur kërkesën e tyre pranë Drejtorive të Transportit dhe Komunikimit të Rajoneve të Njësive Rajonale në Shtetin Grek. Kjo procedurë bëhet pas kryerjes së kontrolleve mjekësore që vërtetojnë se personi është i aftë fizikisht të drejtojë një mjet motorik ose një kombinim të mjeteve të kategorisë specifike, si dhe të sigurojë një përkthim zyrtar të leje-drejtimit shqiptare, në greqisht, pa qenë e nevojshme kryerja e testeve teorike dhe praktike. Ndërkohë që, të njëjtat rregulla vlejnë edhe për shtetasit grekë që udhëtojnë drejt vendit tonë.