Pensionistët shqiptarë që jetojnë në Itali kanë protestuar sot përpara ambasadës italiane në Tiranë për ngadalësimin e procedurave për njohjen e pensioneve. Ata kanë kërkuar njohjen e ndërsjelltë të pensioneve mes dy vendeve.
Protestuesit janë takuar edhe me ambasadorin e Italisë në Tiranë, Fabrizio Bucci, i cili u ka garantuar pensionistëve se gjithçka do të zgjidhet shumë shpejt.
Ai është shprehur se, qeveria e Italisë ka vullnetin e plotë për të arritur këtë marrëveshje.
“Më duhet t’iu siguroj që nga pala italiane po bëhet maksimumi për ta zgjidhur këtë problem. Kemi folur për të arritur një dakordësi me palën shqiptare. Ne jemi tani në momentet e fundit të dakordësimit, mungojnë pak gjëra. Në javët e ardhshme apo maksimumi në muajit e ardhshëm do të realizohet firmosja e marrëveshjes italo-shqiptare. Ka qenë pak e vështirë sepse ka pasur disa teknikalitete për procedurën. Keni fjalën time, që nga pala italiane po bëhet maksimumi. Bëni pak durim”, iu drejtua ambasadori protestuesve.
Ndërsa protestuesit u shprehën se jetojnë në kushte të vështira.
“Jetojmë me 15000 lekë dhe jetojmë në kushte të vështira. Kam 32 vite në Itali dhe aty kam vënë re humanizëm për këdo. Pyetje që i bëj vetes është Meloni çfarë është? Mjafton një firmë edhe mbaroi”, tha një pensionist.
“Kam 30 vjet që punoj në Itali dhe kam dhënë kontribut të rëndësishëm në atë vend. Më takon, duhet të hipi shkallët për të nxjerrë bukën e gojës. Unë dua të me hedhin kontributet shqiptare dhe italiane, dua dinjitetin dhe djersën time”, u shpreh një tjetër protestues.
“Duam djersën, mundin. Të jeni të bindur se do e çojmë zërin tonë para parlamentit italian. Kam të drejtë të votoj në Itali po s’kam në Shqipëri? Po është turp more! Duam djersën, jemi këtu vetëm për pensionet”, u shpreh një protestues tjetër.
Shqipëria ka marrëveshje për pensionet me disa vende, por ende jo me Italinë. Marrëveshja për pensionet nënkupton që qytetarët të cilët jetojnë dhe punojnë në një vend tjetër, e që përpara se të iknin në këtë vend kanë pasur kontribute edhe Shqipëri, këto kontribute mblidhen duke bërë të mundur që të marrin pension në të dyja vendet.