Më shumë se 50 vite pas fluturimit të parë të avionëve Concorde, një lloj i ri avionësh supersonikë po bëhet gati për të nisur fluturimet, që do të lejojnë udhëtimin në distanca të gjata për shumë pak orë.
Kompania amerikane “start-up”, “Boom Supersonic” deklaroi se në 7 tetor do të ketë gati modelin XB-1, një version më i vogël i prototipit supersonik Overture. Fluturimi i parë testues do të jetë gati në fillim të vitit 2021. “Ky është hapi i parë për rikthimin e fluturimit supersonik në botë”, tha Blake Scholl, themelues dhe CEO i kompanisë me seli në Denver.
Kompania ka publikuar edhe pamje nga avioni eksperimental, i përshkruar si “avioni më i shpejtë privat në histori”, i ndërtuar 100% me karbon.
Para pandemisë, kompania kishte marrë porosi me vlerë rreth 6 miliardë dollarë. Një prej avionëve kushton 200 milionë dollarë. Nëse gjërat shkojnë sipas planit, avioni Overture, i cili do të ketë vend për deri në 75 persona, do të nisë fluturimet në vitin 2030.
Rrugët kryesore që do të realizohen me të janë transoqeanike, si Nju Jork-Londër, që do të mund të bëhet për vetëm 3 orë e 15 minuta.