Një pikturë e vjedhur nga nazistët prej familjes së koleksionit të artit, Adolphe Schloss, gjatë Luftës së Dytë Botërore, i është kthyer pasardhësve të tij në Nju Jork.
Vepra e vitit 1639, me titull “Dijetari duke mprehur penën e tij”, krijim i artistit holandez Salomon Koninck, i përkiste Schlossit, një hebre që jetonte në Paris.
Ceremonia e kthimit të saj u zhvillua në Konsullatën franceze në prani të ministrit të Jashtëm të Francës, Jean-Yves Le Drian, si dhe përfaqësuesve nga komuniteti hebre.
Por, e gjithë kjo kishte edhe një domethënie tjetër. Përballë antisemitizmit në rritje, si në Sshtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu dhe në Europë, rikthimi i kësaj pikture i vendos sërish në vëmendje hebrenjtë dhe shërben si kujtesë për të shkuarën.
“Ana pozitive e një veprimi të tille nuk është ajo e shpagimit, është ajo e shpresës. Historia flet vetë, nuk ka përse e zbukurojmë”.
Vjedhja e veprave të artit dhe objekteve të tjera me vlerë ishte pjesë e një grabitjeje të organizuar gjatë “Rajhut të Tretë” në vendet europiane, nga agjentë që vepronin për llogari të partisë naziste.
Ato nisën në vitin 1933 e vazhduan deri në fund të luftës, të kryera në mënyrë të veçantë nga njësite speciale që njiheshin si “Kuntschutz”.
Përveç arit, argjendit e parave, në vëmendjen e nazistëve përfunduan piktura të vyera, punime qeramike, libra e thesare fetare. Edhe pse shumë prej objekteve në fjalë u arrit të rikuperoheshin fill pas konfliktit, një pjesë e tyre nuk kanë dalë ende në dritë.