Bota Nobelistja e Paqes dënohet me 4 vjet burg në Mianmar

Nobelistja e Paqes dënohet me 4 vjet burg në Mianmar

Liderja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, është dënuar me katër vjet burg. Ajo po përballet me drejtësinë e vendit të saj për një sërë akuzash dhe është shpallur fajtore për dy prej tyre: nxitje konfliktesh dhe thyerjes të rregullave anti-Covid, në kushtet e një ligji për fatkeqësitë natyrore. Procese të tjera gjyqësore mund të finalizohen me dënime në të ardhmen.

Ndaj saj janë ngritur 11 akuza, të cilat janë cilësuar si të padrejta. Amnesty International i quajti akuzat “false”, duke thënë se ishte “shembulli më i fundit i vendosmërisë së ushtrisë për të eliminuar të gjithë opozitën dhe për të shtypur liritë në Mianmar”.

Aung San Suu Kyi është në arrest shtëpie që nga shkurti i këtij viti, kur një grusht shteti i organizuar nga junta ushtarake në vend e rrëzoi atë nga pushteti.

Aung San Suu Kyi mori drejtimin e qeverisë së Mianmarit në 2020, kur fitoi zgjedhjet me një shumicë të padiskutueshme. Kjo ishte fitorja e dytë pas asaj të 2015, kur ajo u pengua të bëhej presidente e vendit për shkak të një rregulloreje që përjashton nga marrja e postit individët me fëmijë që kanë shtetësi të huaj. Megjithatë, u krijua posti i këshilltares shtetërore në mënyrë që ajo të udhëhiqte vendin.

Ajo është vajza e heroit të pavarësisë së vendit, gjeneralit Aung San, i cili u vra në vitin 1947, më pak se gjashtë muaj përpara se vendi, në atë kohë Burma, të shpallte pavarësinë nga Britania.

Aung San Suu Kyi ka kaluar gati 15 vjet në paraburgim, në duart e ushtrisë, midis 1989 dhe 2010. Ajo është nderuar me Nobelin e Paqes për punën e saj për të sjellë demokracinë në Mianmar.

Megjithatë, reputacioni i saj jashtë vendit u dëmtua rëndë nga mënyra se si ajo e trajtoi krizën Rohingya, e cila filloi në 2017.

Pakica myslimane Rohingya e Mianmarit sulmoi në atë kohë forcat e sigurisë në shtetin perëndimor të Rakhine, duke vrarë me dhjetëra. Ushtria u përgjigj me një fushatë brutale kundër kryengritjes, duke përfshirë vrasje masive, përdhunime dhe zjarrvënie që përfundimisht çuan në zhvendosjen e më shumë se 730 000 Rohingya në Bangladesh.

Në vitin 2019, Suu Kyi u paraqit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ) të OKB-së për të mbrojtur vendin e saj kundër akuzave për gjenocid.