Politika Noka paralajmëron Bashën: Mos përdor më asetet e PD, ose kallëzim në...

Noka paralajmëron Bashën: Mos përdor më asetet e PD, ose kallëzim në SPAK

Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, i kërkon Lulzim Bashës të mos përdorë më asnjë aset të PD-së zyrtare.

Në shkresën që Noka i drejton Bashës, kërkon prej tij që të mos shpenzojë paratë në llogaritë bankare të Partisë Demokratike, dorëzimin e faqeve të internetit dhe llogarive në mediat sociale si edhe mos përdorimin e aseteve të tjera.

“Përsa më sipër, duke konsideruar se ligjërisht efektet e vendimit nr.723 dat 11.06.2024 fillojnë menjëherë, që në datën e marrjes së tij, pavarësisht nga vënia në dispozicion e vendimit të arsyetuar, kërkojmë nga ana juaj që të merrni të gjitha masat për të ndaluar çdo lloj veprimi që ju ose të autorizuarit prej jush mund të kryeni lidhur me asetet e Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga data 11.06.2024. Këto asete përfshijnë por nuk kufizohen në, ambjente të marra me qera nga ana e PDSH, llogari bankare të PDSH, domain zyrtar i internetit të PDSH si dhe faqet zyrtare të PDSH në rrjetet sociale Facebook, Instagram, Tik Tok etj.

Gjithashtu kërkojmë nga ana juaj që të mos përdorni simbolet identifikuese të PDSH të cilat me vendimarrjet e Kuvendit të 11 dhjetorit 2021 të PDSH janë shfuqizuar si dhe në komunikimin publik të mos t’i drejtoheni publikut si Partia Demokratike e Shqipërisë për sa kohë nuk keni asnjë tagër përfaqësimi. Ftojmë të caktoni përfaqësuesit tuaj që brenda tre ditëve nga marrja e kësaj shkrese të kryeni veprimet përkatëse për dorëzimin ligjor të çdo aseti të PDSH i cili ndodhet në administrimin tuaj,” thuhet në dokument.

Noka paralajmëron Bashës se në rast se nuk do t’i bindet, atëherë do të bëjë kallëzim në organet kompetente.

“Ju bëjmë me dije që administrimi i çdo aseti të PDSH që nga data 11.06.2024 është nën një monitorim të vazhdueshëm nga ana jonë dhe për çdo veprim mbi to, i cili bie ndesh me interesat e PDSH nga ana jonë do të bëhet kallzim penal në organet kompetente, SPAK, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe eventualisht do të kërkojmë dëmshpërblim në rrugë gjyqësore mbi pasuritë personale të personave përgjegjës, të cilët me veprime ose mosveprime cënojnë interesat e Partisë Demokratike të Shqipërisë”, përfundon dokumenti me firmën e Nokës.

Kjo kërkesë vjen pasi Apeli i mori vulën Lulzim Bashës dhe ia dha Sali Berishës.