Politika “Non grata” nga Londra, Berisha: Mijëra prova të miat nuk u shqyrtuan,...

“Non grata” nga Londra, Berisha: Mijëra prova të miat nuk u shqyrtuan, e vërteta u fsheh me manovra

Nga banesa e tij ku ndodhet në arrest, kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka dhënë një deklaratë, në të cilën shpjegon vendimin e djeshëm të Komisionit të Posaçëm të Apelimit të Emigracionit të Britanisë së Madhe.

Në deklaratën për mediat, Sali Berisha shprehet se marrja e vendimit për shpalljen e tij “non grata” nga Britania e Madhe është bërë duke u bazuar në, siç shprehet ai, “shpifje të mediave të financuara nga Soros.

Sipas Berishës, mijëra faqe prova, të dorëzuara nga ai vetë, nuk janë shqyrtuar nga Home Office, me pretekstin se “janë dorëzuar me vonesë.”

“Kjo është absolutisht një e pavërtetë që nuk i bën nder asnjë njeriu. Avoketërit e mi, kanë dorëzuar në kohë, në përputhje me marrëveshjen të gjitha dokumentet e kërkuara nga Home Office, por këto dokumente nuk i janë paraqitur sekretares së Shtetit, me dy qëllime. Së pari, që ajo të mos mësonte të vërtetën. Së dyti, që këto dokumente të mos mund të paraqiteshin në SIAC duke mos i shqyrtuar sekretarja  e Shtetit.”

Nga procesi, ish-kryeministri thotë se ai vetë ka përfituar shumë.

“Ne mësuam së pari se, çfarë manipulimesh dhe manovrimesh të ulëta u bënë për të fshehur të vërteta, dosje mijëra faqe para Komisionit të Apelimit të Ankesave. Së dyti, mësuam se nuk ekziston asnjë provë, fakt, dokument që të faktojë korrupsionin, apo lidhjet me krimit të Sali Berishës.”