Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të mbajë përsëri të pandryshuar normën bazë të interesit në nivelin 3%. Guvernatori, Gent Sejko, tha se vendimi për të mbajtur përsëri të pandryshuar normën bazë tenton të balancojë natyrën shtrënguese të politikës fiskale dhe forcimin e Lekut në kursin e këmbimit valutor.
“Këshilli Mbikëqyrës vëren se kjo vendimmarrje ndihmon në krijimin e kushteve të përshtatshme monetare për kthimin e inflacionit në objektiv gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu, ajo është konsistente me kahun konsolidues, aktual e të pritur, të politikës fiskale si dhe me kahun forcues që ka ndjekur ecuria e kursit të këmbimit gjatë vitit 2023. Megjithatë, Këshilli Mbikëqyrës gjykon se presionet e larta inflacioniste nga ekonomia e brendshme mbeten një faktor rreziku për stabilitetin e çmimeve në vend. Në këtë kontekst, ai thekson se mbetet i gatshëm të vazhdojë procesin e normalizimit të qëndrimit të politikës monetare, nëse kjo masë do të konsiderohet e nevojshme për garantimin e stabilitetit të çmimeve”, tha Sejko.
Ndërkohë për Bankën Qendrore, kursi aktual i këmbimit në nivelet e 105 lekë do të jetë normaliteti i ri edhe për periudhën në vijim.
“Pas luhatjeve, ky kurs është sinjalizuar në periudhën gusht e shtator duke krijuar një normalitet të ri. Megjithatë në periudhën afatshkurtër mund të përballemi me luhatje”, u shpreh Sejko.
Mbajtja në nivelin 3 për qind të normës bazë të interesit është lajm i mirë për kredi-marrësit në lekë, të cilët nuk do të paguajnë më shumë për këstet e tyre. Megjithatë Banka e Shqipërisë paralajmëron se nëse inflacioni do të pësojë rritje, atëherë edhe politika monetare mund të shtrëngohet më tej.