Partia Socialiste dha sot “ok” për heqjen e imunitetit të ish-numrit dy të qeverisë Rama, Arben Ahmetaj, teksa Këshilli i Mandateve u gjend përballë kërkesës së SPAK për arrestimin e tij.
Tashmë i takon Kuvendit që me votë të vendosë të hënën çeljen e dritës jeshile për kontrollin e banesës së ish-zv/kryeministrit dhe prangosjen e tij me urdhër të Prokurorisë së Posaçme.
Lidhur me vendimin e sotëm, deputeti i PS Arben Pëllumbi tha për mediat se do të sugjerojnë në seancën plenare autorizimin për arrestimin e Ahmetajt.
Ai po ashtu nënvizoi se socialistët gjykojnë nëse procedurat janë të rregullta ose jo, por jo për faktet në dosjen e akuzës.
“Duhet ti sugjerojë seancës plenare dhënien e autorizimit për prokurorinë që të zhvillohet një proces i rregullt. Duhet të përgatitet mendimi dhe raporti i mazhorancës. Ne sot nuk mund të kishim një raport të parapërgatitur pa dëgjuar palën mbrojtëse. Ne do të përgatisim raportin tonë të cilin do ta dërgojmë në të premten para orës 12:00. Të kuptojmë se Këshilli për Mandatet nuk është gjykatë. Këshilli i Mandateve nuk është gjykatë. Për sa kohë bindemi se procedura është e rregullt dhe nuk ka fakte që vërtetojnë se ka një tejkalim të kërkesave për heqje imuniteti, sigurisht që kemi qëndrimin tonë për të mos bërë avokatin e askujt”, u shpreh Pëllumbi.