Opinione Nuk bëri dot Tiranën, si do mund të bëj Shqipërinë

Nuk bëri dot Tiranën, si do mund të bëj Shqipërinë

Protesta do shpirt, dhe ndoshta pjesmarrsit e kanë, po lideri, Jo. Protesta do moral, po lideri i saj formal, nuk e ka. Ka qënë pjesë e pushtetit dhe kur partia që drejton ish në opozitë, po prapë ylli i tij mediokër nuk shkëlqeu. Sepse lider lind, nuk bëhesh dot rrugës. Sidomos kur rrugët e gjata drejt pushtetit vërtetojnë paaftësinë e liderit, mungesën e moralit, nuhatjes, ekuilibrave.

Tashmë duhet pranuar që Shqipëria ka një klasë politike mediokre, të kapur dhe antikombëtare deri në mosbesi, të pavetëdijshme për rolin dhe pasojat që sjell qoftë dhe kundrejt vetvetes.

Kjo klasë politike është si një kënetë e ndarë më dysh, ndaj kur njëra gjysëm bën sikur rebelohet ndaj gjysmës tjetër, nuk ka hipokrizi dhe shfaqje më të neveritshme antidemokratike teatrale.

Kjo klasë politike që për cështje madhore dhe me vlerë kombëtare ka një kod të frikshëm mafioz heshtjeje, dhe pavarësisht ndrrimit të pushteteve ato janë shpërdorueset më kriminale të besimit të shqiptarve dembelë dhe miopë.

Karrota dhe kamzhiku janë modelet e tyre të sundimit, kapja e mediave, burimeve dhe pasurive kombëtare është qëllimi i tyre dhe jo mirëqënia e një grusht shqiptarve të tkurrur në një tokë të begatë e të bekuar nga perëndia.

Shqiptarve të kësaj epoke ju shkoi jeta duke levizur kokën si fshirse xhami, një herë majtas një herë djathtas, të mpirë dhe frigur nga poshtërsia e kësaj klase politike vdektarësh, pa kuptuar që mekanizmi që lëviz atë fshirëse antikombëtare janë vetë ata me votat e tyre.

Protestat personalisht i konsideroj si frymëmarrje, tronditje dhe pastrim i kënetave që kanë pushtuar Shqipërinë, por kur shikoj që ajo që proteston është njëra gjysëm kënete kundrejt gjysmës tjetër, dhe jo Deti i shqiptarve të mirë dhe të heshtur, jetoj me shpresë se do vij dhe dita që Deti do të zgjohet, e do e pastroj këtë tokë të mallkuar dhe bekuar njëkohësisht.