Presidentja e vendit, Vjosa Osmani deklaroi se ka vendosur që të mos dekretojë Blerim Isufajn, për kryeprokuror të shtetit me argumentin se procesi ka pasur shumë shkelje ligjore.
“Përgjegjësia ime për garantimin e funksionimit kushtetues të institucioneve, më obligon që ndaj një procesi të tillë që cenon rëndë parimet dhe vlerat fundamentale të kushtetutës sonë, sikurse edhe prodhon padrejtësi konkrete dhe diskriminim, të mos rrijë duarkryq. Prandaj, siç e përmenda edhe në fillim sot e kam njoftuar KPK-në lidhur me këtë vlerësim të procedurës, i cili duke pasur parasysh të gjitha shkeljet e përmendura, më obligon që të mos bëjë dekretimin e kandidatit të propozuar për kryeprokuror, sipas propozimit të KPK-së, të datës 8 prill 2022”.
Ajo është shprehur se ka marrë kërcënime për dekretimin e tij.
“Në një vend demokratik ata që mendojnë se mund të marrin vendime duke kërcënuar kreun e shtetit, do të duhej të ishin jashtë sistemit. Ato janë presione të paligjshme, që duke menduar se duke kërcënuar kreun e shtetit të marrin nënshkrime. E nuk do të marrin, unë jam e pavarur nga çdo ndikim tjetër. Ka pasur presione të tjera, njerëz që dërgonin mesazhe që nëse nuk e dekreton nuk e nënshkruan do të bëjmë dosje, do të ngrejmë aktakuza, do t’i lidhim duart. Por ata duhet ta dinë që këto më shumë se dy dekada që jam në politikë presionet asnjëherë nuk kanë bërë punë”, shtoi Osmani.
Në fund, ajo zgjodhi që të mos jepte emra, pasi sipas saj, e rëndësishme tashmë është zgjedhja e kryeprokurorit.