Gjykata e Tiranës ka caktuar ditën e sotme masën e sigurisë “arrest me burg” për 55-vjeçarin Qani Muça, i cili plagosi me armë zjarri pistoletë tre ditë më parë punonjësin e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, Ilirjan Gavelli. Ngjarja ndodhi pasi IMT kishte shkuar për t’i prishur banesën.
Qani Muça akuzohet për veprat penale “tentativë vrasje ndaj funksionarëve publike” mbetur në tentativë dhe “armëmbajtje pa leje”. Në gjykatë Muça ka pretenduar konflikti ka lindur pas provokimit të inspektorit, që i ka thënë se “nuk deshe të marrësh hyrje, rri mes 4 rrugëve tani”.
Ndërsa, avokatja e tij ka kërkuar në seancën që të ndryshohet akuza në “tentativë vrasje në gjendje të rënduar psikologjike”, por kërkesa nuk u pranua nga Gjykata.
Avokatja tha se arma me të cilën u krye plagosja nuk ishte e Qani Muçës, por e punonjësit të IMT-së. Sipas saj, Hoxhës i kishin vjedhur nga banesa e shembur një shumë prej 80 mijë eurosh. Gjithashtu ajo deklaroi se shembja u krye pasi Muça nuk pranoi të jepte tokën për ndërtimin e një pallati.
“Ngjarja ka ndodhur pa dashjen e klientit tim, nuk ka qenë e paramenduar, ka ardhur nga një situatë e rëndë psikike pasi po i prishej shtëpia dhe nga ana tjetër e provokuar edhe nga punonjësi i IMT-së. Ne kërkuam rikualifikimin e çështjes. Unë mendoj që gjykata në pamundësinë edhe të provave, vendosi të pranojë kërkesën e prokurorit, por ne do ta ndjekim edhen në Apel këtë çështje pasi ka dy elemente që duhej të merreshin parasysh.
Qani Muça e ka deklaruar edhe më herët, se arma e krimit, nuk ishte e tij, por e punonjësit të IMT-së. Pra duhet të hapen kamerat dhe të shihet se klienti im nuk ka qenë me armë dhe se më herët ka qenë. Ai më tej ka deklaruar se punonjësit e IMT-së, i kanë vjedhur edhe një shumë parash rreth 80 mijë euro të cilat i ka pasur në ndërtesën që u shemb. U provokua nga punonjësi i IMT-së që i ka thënë se meqë nuk donte hyrje në pallat të rrinte mes katër rrugëve”, tha ndër të tjera avokatja e Qani Muçës.