Gjermania nuk do të lejojë që fuqitë botërore ta kthejnë atë në një “lodër”. Kështu ka deklaruar të martën ministri i Jashtëm, gjerman Heiko Maas, i cili priti në Berlin homologun kinez, Wang Yi.
“Ne nuk do të lejojmë që të kthehemi në lodrën e konkurrencës së fuqive të mëdha, konkretisht Amerikës, Rusisë dhe Kinës. Ne dëshirojmë dialogun me të gjithë”, u shpreh ai.
Maas tha gjithashtu se kërcënimet nuk kanë vend pasi ministri kinez u citua të thoshte se kreu i Senatit të Republikës Çeke do të paguajë një çmim të shtrenjtë për udhëtimin në Tajvan.
“Natën e kaluar isha në kontakt me homologun tim çek, ku ka një debat për shkak të vizitës në Tajvan të kryetarit të Parlamentit çek. Sikurse e dini, ne evropianët veprojmë në bashkëpunim sa i takon çështjeve të sigurisë dhe politikës së jashtme dhe i trajtojmë partnerët ndërkombëtarë me respekt. Ne presim të njëjtën gjë prej tyre dhe kërcënimet nuk kanë vend këtu”, u shpreh ministri i Jashtëm i Gjermanisë.
Maas tha gjithashtu se ministri kinez kishte shprehur gatishmërinë për të lejuar një mision të pavarur monitorimi të OKB-së në kampet e pakicës ujgure të Kinës.
Kombet e Bashkuara vlerësojnë se mbi 1 milion ujgurë dhe myslimanë të tjerë mbahen të burgosur kundër vullnetit të tyre në kampet e ngritura në rajonet e largëta lindore.