Presidenti Ilir Meta ka zbuluar një mesazh kërcënues që kryeministri Edi Rama i ka bërë nëpërmjet telefonit. “Nuk do gjesh më gjurmë LSI-je”.
“Shpirti im e di, se ca kam hequr unë për të shpëtuar LSI nga asgjësimi i marrëveshjes së 17 majit,
Ça më shkruan ky, nuk e kam zakon por do i nxjerrim. Më 18 shkurt:
‘Lulit i kam shkuar në fund të 2017 se pas zgjedhje lokale nuk do jetë kryetar partie, ndërsa ty po të shkruaj se pasi të mbarosh mandatin si President nuk do gjesh më gjurmë LSI-je’.
Pra i vjen keq edhe për mua edhe Lulit, mua kur nuk më erdhi keq për ditët e mia në PS në ditët e mia më të zeza, që Edi i gjuante me gurë, e bënte pis atë, nuk më vjen keq as për LSI se e bëra për të dhënë mundësi të rinjve si Gjosha, Panariti, Mehmeti të bëjnë diçka të mirë për vendin”, tha Meta.
Presidenti Ilir Meta gjatë konferencës së tij për shtyp i dha edhe një mesazh të qartë kryeministrit të vendit Edi Rama, kur u pyet pse e etiketonte veten si një “Avni Rustem”.
Ai tha se kur në lojë janë interesat e vendit të tij, ishte mirë që askush të mos e provonte kokëfortësinë e tij. Meta e ftoi Ramën në Presidencë për të gjetur zgjidhje. “E pres këtu”, tha prerë Meta.
“Unë flas për veten time, jo për Monikën…është mirë të mos e provojnë askush kokëfortësinë time kur në lojë janë interesat e vendit tim. Janë shumë shqiptarë gati për të ruajtur demokracinë e fituar në 30 vjet…prandaj ftoj të mos shkojmë në rrugën e Koresë së Veriut”,- tha Meta.
Më tej presidenti shtoi: “Do bëjmë shtet apo cirk, unë këtu jam, të vijë këtu! Apo do dalim të gjithë me çitjane e nallane. Nëse më thotë më burri i Monikës, do t’i them gruaja e Bilalit. Ky vend nuk mund të jetojë nën humoret e Edit apo Ilirit”.