“Për votën e emigrantëve kemi arritur konsensus me PD, vijojmë negociatat për herësin”. Kështu është shprehur në një deklaratë për mediat, kreu i grupit të Partisë Socialiste, Bledi Çuçi.
Çuçi dha detaje mbi pikat që i bashkojnë opozitën dhe mazhorancën.
“Grupi i dialogut ka bërë një punë intensive dhe ka pasur adresime të shumta. Sa i takon votës së emigrantëve me gjithë diferencat që kemi pasur me opozitën lidhur me sistemin që do të përdorim për të adresuar të drejtën e emigrantëve për të votuar ata ku ato jetojnë, formula jonë është e qartë do votohet me postë, me postën shqiptare ose me ndonjë postë që do të vendosë KQZ dhe kushti i vetëm është që duhet të ketë adresë ku jeton apo banon personi që voton. Do dërgohet zarfi dhe prandaj duhet adresa dhe pastaj mënyra se si do të numërohet vota, do të numërohet aty ku ka rezidencën në Shqipëri. Vota do të numërohet në KQZ sepse nuk ka një KZAZ, këtu kemi pasur edhe një lloj konsensusi me opozitën, do arrijmë në një variant me konsensus. Për listën ka pasur diskutime me qëllim për arritjen e konsensusit, por të gjitha besoj që do të shkojnë drejt një formule që garanton qartë formulën që ka Kushtetuta, vazhdojnë negociatat dhe do ezaurojmë diskutimet dhe nëse e ezaurojmë në seancën e së premtes”.
Ndërkohë, theksoi se nuk do të ketë koalicione parazgjedhore, pasi është një pikë që nuk do i kthehen më.
“Ne nuk i kthehemi më asaj çështjeje. Nuk ka e nuk do të ketë ndonjë variant tjetër veç atij që kemi përcaktuar në 2020 në ndryshimet që bëmë”, tha Çuçi.