Trajneri i Interit, Simone Inzaghi, foli në konferencë për shtyp, në prag të finales së Superkupës së Italisë, që i vendos përballë Milanit.
Tekniku zikaltër vlerësoi kundërshtarin dhe trajnerin e ri, por theksoi se synimi është që ta nisin vitin me trofe.
Inzaghi ndër të tjera tha se nga e kaluara ka kujtime të mira nga Milani, si fitimi i titullit dhe kualifikimi në Champions League.
“Nuk do të rrezikojmë me Thuram, sepse kemi gjashtë ndeshje në 18 ditë dhe është i rëndësishëm. Milani është një kundërshtar që të krijon vështirësi dhe duhet të jemi të kujdesshëm në menaxhimin e topit.
Përplasja me Conceicaon në të kaluarën? Nuk ndodhi asgjë. Ishte tensioni i një ndeshje në Champions League. Unë kam ndarë dhomat e zhveshjes me të për shumë vite. E njohim mirë si trajner. I bën ekipet të luajnë në mënyrë të organizuar. Në pjesën e dytë ndaj Juventusit zhvilluan ndeshje të shkëlqyer dhe e merituan fitoren.
Derbi është një ndeshje e veçantë dhe emocionuese. Synojmë trofeun e parë për këtë vit. Është derbi i 13-të për mua që kur kam ardhur në Milano. Kemi kujtime të mira nga e kaluara, si nga gjysmëfinalja e Champions League dhe fitimi i titullit sezonin e kaluar. Do përpiqemi të mos bëjmë gabimet e derbit të fundit, që në kushtoi humbjen e merituar. Milani ka ndryshuar stafin teknik, por lojtarët janë të njëjtët”, u shpreh Inzaghi.
Ndeshja Inter-Milan, do të luhet të hënën e 6 Janarit në orën 20:00.