Tajvani do vijojë përmirësimin e kapaciteteve mbrojtëse për t’u siguruar që askush të mos e detyrojë ishullin të ndjekë shtegun e imponuar nga Kina, që nuk ofron as liri e as demokraci.
Kështu ka deklaruar presidentja Tsai Ing Wen, duke iu përgjigjur kërcënimeve të Pekinit, teksa ka ndjekur nga afër një paradë ushtarake, me avionët që kanë përshkuar qiejt dhe kamionët raketahedhës, që kanë parakaluar përpara podiumit ku ajo qëndronte.
“Ne nuk do të reagojmë ashpër, por nuk duhet të ketë iluzione se populli tajvanez do t’i përkulet presionit. Ne do vazhdojmë të përforcojmë mbrojtjen tonë, për t’u siguruar që askush të mos na detyrojë të ndjekim planin që Kina ka parashikuar për ne. Sepse ky plan nuk ofron as liri, as demokraci dhe as sovranitet për 23 milionë qytetarët tanë”, tha Tsai Ing Wen, presidente e Tajvanit.
I pretenduar si territor nga Kina, Tajvani është ndodhur nën një presion të fortë ushtarak dhe politik për të pranuar sundimin e Pekinit, që së fundmi ka depërtuar në hapësirën ajrore të ishullit, duke ngritur shqetësim në nivel ndërkombëtar.
Presidenti kinez Xi Jinping u zotua ditën e diel se do të realizojë një “riunifikim paqësor” me Tajvanin dhe nuk përmendi përdorimin e forcës. Por sërish, ai mbeti i zemëruar nga reagimi i Taipeit, që deklaroi se vetëm populli i Tajvanit mund të vendosë për të ardhmen e tij.