Në vitin 2014 Barcelona kërkonte një qendërmbrojtës pa shumë kosto dhe arriti të siguronte shërbimet e Jeremy Mathieu nga Valencia për rreth 20 milionë euro. Francezi kthehet pas në kohë dhe kujton transferimin te Barcelona, ku çuditërisht ai nuk donte të shkonte.
“Nuk doja të shkoja te Barcelona”, rrëfeu ai L’Equipe.
“Kur katalanasit më blenë, në vitin 2014 unë isha kapiten te Valencia, po shijoja jetën atje dhe pyeta veten: Të iki të lustroj stolin te Barcelona? Kur mora kontratën e hartuar nga Barcelona për mua, unë shkrova vetë një tjetër kontratë, që ishte e mesmja e asaj që merrja te Valencia dhe asaj që më jepte Barcelona.
E mora dhe ia tregova drejtorit sportiv të Valencias, Francisco Rufete dhe i thashë se nëse më jepnin aq, unë do qëndroja. Ai u shpreh se nuk ishte problem dhe do e bënin. Por kur shkoi te presidenti Amadeo Salvo, ai refuzoi. Rufete nuk mund ta besonte këtë.
Unë grisa letrën dhe thashë: Në rregull, po largohem. E kuptova se ata nuk më besonin”, u shpreh Mathieu, i cili në fakt nuk ishte lojtar stoli te Barcelona, por titullar në një pjesë të mirë të ndeshjeve dhe arriti të fitojë Champions League në sezonin e tij të parë te katalanasit.