Florjan Binaj është rrëfyer si rrallëherë në një intervistë mbi jetën personale dhe atë profesionale. I ftuar në “Natë me Aulonën” ai ka treguar detaje e të pathëna rreth shumë sferave të jetës.
I pyetur nga moderatorja se cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën e tij, aktori përmendi mosbesimin që njerëzit kanë treguar ndaj tij kur ai u bë pjesë e botës së arkitekturës.
“Askujt nuk i shkon jeta vaj. Ka pasur momente të vështira, sidomos mosbesimi. Për shembull në fakultet, në Akademinë e Arteve, por edhe në arkitekturë më pas, që njerëzit shihnin “Po ky çne këtu?” Se bënin lidhjen me atë që shihnin ditën e diel. Më është dashur shumë mund, kohë, pagjumësi, orë pune për t’i bindur që kjo është diçka që dua për veten time dhe nuk ka lidhje me atë që shihni në televizor. Kjo ka qenë një nga sfidat më të mëdha. Pastaj padiskutim një nga sfidat më të mëdha të dikujt sot është menaxhimi i kohës. Kryesfida është të jetojmë në Shqipëri”, tha Flori.
Largimi i tij nga “Portokalli” rreth dy vite më parë shkaktoi shumë bujë. I pyetur rreth kësaj, Flori tha se do i rikthehet rolit si komedian, por jo në “Portokalli” Sa i përket largimit pas 18 vitesh deklaroi se vendimin për tu larguar e kishte marrë prej një kohë të gjatë duke nënvizuar se “nuk donin të më mbanin”.
“Ajo do ekzistojë me mua deri në fund të jetës sime. Atij momenti do i kthehem sërish në një formë tjetër. Jo më te “Portokallia”. Ka qenë një vendim që e kam menduar prej vitesh, por nuk gjeja momentin. Më është dashur kohë e gjatë të merrja vendimin për t’u larguar. Nuk donin të më mbanin, pashë një mungesë vullneti nga institucioni për t’i zgjidhur gjërat në mënyrën e duhur dhe e vetmja mënyrë ishte te hapja krahun dhe të parakaloja, secili në rrugën e vet”, ka treguar aktori.
Por, si po shkon eksperienca e tij e re në një emision investigativ si “Piranjat”?
“Të gjithë në fillim kanë dyshime. Thanë se ‘do vënë gjoba’ etj. Por, kur e panë ndryshuan mendim. Nëse dikur më ndalonin për të bërë foto, tani më ndalojnë njerëzit në rrugë edhe për foto edhe për të ndarë halle. Më vjen mirë që pjesa më e madhe e tyre kanë gjetur zgjedhje”, rrëfeu Flori.
Në rrugëtimin e tij të ri si moderator i një emisioni investigativ, Florjan Binaj ka bashkëpunuar me dy partnere.
Fillimisht, ai pati krah tij këngëtaren e mirënjohur Arilena Ara, ndërsa në këtë sezon po bashkëmoderon “Piranjat” me prezantuesen simpatike Cindy Marina.
Por, si ka qenë bashkëpunimi me dy vajzat? I pyetur rreth kësaj në intervistën e fundit në “Natë me Aulonën”, Flori tha se Arilena dhe Cindy janë dy tipa shumë të ndryshëm.
Arilenën ai e përshkroi si një natyrë shumë dinamike dhe energjike. Ai e cilësoi takimin e tyre të parë ‘dramë’, por tha se më pas kuptuan se tërhiqen dhe patën shumë kimi.
Ndërsa për Cindyn tha se është shumë e qeshur dhe pozitive. Madje, shtoi se ajo do zbusë gjithë stafin me qetësinë e saj.
“Arilena është shumë energjike, Me Cindyn po ndihem shumë mirë. Nga java e parë në javën e dytë… Cindy është shumë më e qeshur. Ka aq shumë pozitivitet, saqë edhe kur thotë një lajm të keq, ti prapë ndihesh mirë. Janë dy tipe komplet të ndryshme. Besoj se po t’i lëmë të njëjtën kohë që ka pasur Arilena edhe Cindyt, do arrijmë të bëjmë një përfundim që të themi kush shkonte më shumë. Gjithsesi, unë besoj se jam tip shumë elastik dhe bëhem goxha komod që të ndihet mirë partneri/partnerja. Takimi i parë me Arilenën ishte një dramë. Por, rrugës kuptuam se sado që jemi tipa dinamikë, jemi dinamika të ndryshme. Dhe dinamikat e ndryshme tërhiqen. Dhe patëm kimi. Cindy është e sigurt se do na zbusë të gjithëve aty”, tha ai.
E sigurisht aspekti më i veçantë dhe i dashur për të është familja. Flori ndau në intervistën e tij edhe një rrëfim mbi marrëdhënien me fëmijët dhe bashkëshorten e tij.
“Për tu bërtitur (fëmijëve) asnjëherë, mjafton tu bëj një shikim që ajo që po bëjnë nuk është mirë. Dhe si këmbim u krijoj një lojë, në kuptimin që unë ta tërhoqa këtë por, edhe ta lëshoj. Kështu, ata krijojnë një marrëdhënie. Të dy fëmijët e mëdhenj mbajnë anën e mamit. Ngaqë jam më shumë i batutës, e marrin më shumë sikur tallem. Por, kemi një dashuri të baraspeshuar. Kam 19 vite në lidhje me partneren, ka pasur nga të gjitha nuk ka qenë vetëm sheqer. E rëndësishme është mirëbesimi. Ajo e ka pasur më të vështirë se unë kam qenë personazh publik, i është dashur të përballojë presion. Por besimi dhe dashuri mbi të gjitha“, tha Flori.