Sport “Nuk dua ta them, por Reali i ka gjithmonë me vete arbitrat”,...

“Nuk dua ta them, por Reali i ka gjithmonë me vete arbitrat”, De Ligt dhe Tuchel: Arbitri na kërkoi falje, e turpshme

Real Madrid siguroi një biletë për në finalen e Champions League, teksa spanjollët eliminuan në një gjysmëfinale dramatike në Santiago Bernabeu, Bayern Munich.

Gjermanët kaluan të parët në avantazh, por u përmbysën në tre minuta (88 dhe 91) nga një dygolësh i Joselu.

Ndërkohë, në shtesë bëri të diskutohej shumë një episod kur De Ligt shënoi për Bayern, por goli u anulua pasi më parë aksioni u ndal për një pozicion jashtë loje. Protestat e bavarezëve ishin të shumta pasi në atë moment nuk u bë e mundur ndërhyrja e VAR.

Pas sfidës, De Ligt theksoi se gabimi i arbitrave bëri diferencën, ndërsa shtoi se Real Madrid nuk dorëzohet kurrë edhe kur duket i mundur.

“Nuk dua ta them që Reali ka gjithmonë arbitrat në krahun e vet, por një gabim i arbitrave bëri diferencën. Anësori më kërkoi falje dhe më tha se gaboi. Kjo është e turpshme.

Pastaj e vërteta është se Reali nuk dorëzohet kurrë. Kur mendon se ata janë të “vdekur”, ata rikthehen sërish në ndeshje dhe të japin një goditje. Ja përse kanë 14 Champions League”, u shpreh De Ligt.

Edhe tekniku i Bayern Munich, Thomas Tuchel theksoi se arbitri kryesor Marciniak kërkoi falje, ndërsa shtoi se Reali është shumë i vështirë për t’u mposhtur pasi nuk dorëzohet.

“Jemi shumë të zhgënjyer, por njëkohësisht edhe të inatosur për atë vendim të arbitrave në fundin e ndeshjes. E ndaluan lojën për pozicion jashtë loje, por nuk u duk një pozicion jashtë loje. Të mundësh Realin duhet të fitosh edhe në dushe pasi vetëm fusha nuk mjafton.

Gjithsesi, më vjen keq sepse e pësuam golin e barazimit nga një gabim i lojtarit tonë më të mirë (Neuer), pastaj erdhi ai vendim skandaloz i arbitrave. Marciniak më kërkoi falje, e pranoi se ishte një gabim. Nuk ishte vetëm gabimi i tij, nisi nga anësori që ngriti flamurin pa qenë i sigurt për pozicionin jashtë loje. Ishin dy gabime në një aksion, kishte kaos.

Nga ana tjetër, jam i lumtur për performancën e të besuarve të mi, nuk është e lehtë në Madrid. Në Bernabeu nuk ka nevojë të jesh perfekt, mjafton të jesh shumë i mirë. Ne ishim, por jo deri në fund. Lamë gjithçka në fushë”, u shpreh Tuchel.