Presidenti francez Emmanuel Macron u ka bërë thirrje publike politikanëve të moderuar nga e majta dhe e djathta franceze që të rigrupohen për të mposhtur të djathtën ekstreme në zgjedhjet e ardhshme legjislative kombëtare.
Macron me një pamje të zymtë iu drejtua votuesve francezë për herë të parë që nga vendimi i tij të së dielës për të shpërndarë Asamblenë Kombëtare, dhomën e ulët të parlamentit të Francës.
Lëvizja e tij shkaktoi zgjedhje të parakohshme legjislative që do të zhvillohen në dy raunde më 30 qershor dhe 7 korrik, tre javë pasi partia e ekstremit të djathtë e Marine Le Pen triumfoi në votimin për Parlamentin e Bashkimit Evropian.
“Jam i bindur se socialdemokratët, radikalët, të gjelbrit, kristian-demokratët, golistët dhe më gjerë, shumë nga bashkatdhetarët tanë dhe liderët politikë që nuk e njohin veten në pjesën ekstremiste mund të punojë me këta liderë dhe të ndërtojë një projekt të ri, një koalicion projektesh për të qeverisur, një koalicion për të vepruar në shërbim të francezëve dhe për republikën”, tha Macron.
Macron, gjatë një konference për shtyp në Paris, tha se vendosi të shpërndajë Asamblenë Kombëtare pasi ai nuk mund të injoronte realitetin e ri politik pasi partia e tij pro-evropiane pësoi disfatë dhe fitoi më pak se gjysmën e mbështetjes së Bashkimit Kombëtar të ekstremit të djathtë me liderin e saj, Jordan Bardella.
“Jo, unë nuk dua t’i jap çelësat e pushtetit ekstremit të djathtë në vitin 2027. Kështu që unë jam plotësisht përgjegjës që kam shkaktuar një lëvizje të re. Së pari sepse francezët na kërkuan ta bëjmë këtë të dielën, kur 50% e francezëve votojnë për ekstremin, kur ju keni një shumicë relative në Kuvend, nuk mund t’u thoni se ne do të vazhdojmë sikur të mos kishte ndodhur asgjë duke mos i respektuar”.
Vendimi për të dërguar në qendrat e votimit votuesit që sapo shprehën pakënaqësinë e tyre me politikën e Macron ishte një lëvizje e rrezikshme që mund të rezultojë në udhëheqjen e një qeverie nga e djathta ekstreme për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore.