Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka injoruar me diplomaci fjalimin e kryeministrit Edi Rama në Këshillin e Europës.
Kurti tha se nuk e ka ndjekur deklaratën e homologut të tij shqiptar.
“Nuk di a kam kontribuar në fjalimin e kryeministrit Rama sepse nuk e kam dëgjuar, pra nuk kam pasur mundësi ta dëgjoj, kam qenë në Pejë sot dhe tërë ditën nëpër takime të shumta e në mbrëmje vonë përpiqem të përditësohem për mëngjesin e nesërm”, tha Kurti.
Sakaq, Kurti theksoi se nuk mund të flitet për luftën dhe të mbrohet Kosova pa adresuar krimet e Serbisë në Kosovë.
Kurti theksoi se faktorët ndërkombëtar do të duhet të mobilizohen për ndjekjen e krimeve që Serbia i ka kryer në Kosovë.
Kurti tha se Dhomat e Specializuara nuk kanë qenë transparence duke shtuar se ish-ushtarët e UÇK po mbahen në paraburgim prej dy vitesh dhe nuk ka një datë gjykimi.
“Mund të them që Dhomat e Specializuara nuk janë karakterizuar nga transparenca, nuk mund të lavdërohen për transparencë dhe gjithashtu së shpejti bëhen dy vjet që kemi mbajtje në paraburgim pa një datë gjykimi. Mbi të gjitha besoj që faktorët ndërkombëtar do të duhej të mobilizohen që krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga forcat e Serbisë të ndiqen dhe gjithashtu përgjegjësit dhe fajtorët të gjykohen dhe dënohen. Andaj kudo që flet në arenën ndërkombëtare do të duhej nga faktorët ndërkombëtar ta trajtojë këtë çështje sepse në Kosovë ka ndodhur gjenocidi për ta ndaluar ka intervenuar NATO dhe kemi pa numër krime të pa adresuara. Pra nuk mund të flasësh për luftën në Kosovë dhe ta mbrosh Kosovën pa e adresuar krimin e Serbisë në Kosovë”, është shprehur Kurti.
Më herët reagoi edhe lideri i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i cili falenderoi Ramën për fjalimin dhe miratimin e Rezolutës së propozuar nga Shqipëria kundër Raportit të ish-senatorit Dick Marty, për trafikim organesh në luftën në Kosovë.