Kryesore “Nuk e imagjinoj të arratisem”/ Meta kërkon lirinë: Nuk mbaj përgjegjësi për...

“Nuk e imagjinoj të arratisem”/ Meta kërkon lirinë: Nuk mbaj përgjegjësi për shpenzimet e ish-gruas dhe ish-vjehrrës sime

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili prej më shumë se një muaji ndodhet në burg, pasi u arrestua me urdhër të SPAK ka paraqitur argumentet e tij në Apelin e GJKKO ku kërkon lirinë.

Teksa sqaron të gjitha argumentet e tij, Ilir Meta thotë se nuk e imagjinon  të arratiset, madje u drejtohet gjykatësve duke i thënë se nëse ata e kanë këtë shqetësim le ti bllokojnë pasaportën.

Referuar përvojës amerikane, Meta kërkon që të lihet e lirë dhe të ushtrojë detyrimet e tij ndaj qytetarëve që e kanë zgjedhur.

Ilir Meta kërkon që t’i jepet fund kësaj sjellje paragjyqësore, siç e quan ai, ndaj ish-Presidentit të Republikës.

“Ndaj ju duhet të më lejoni në bazë edhe të përvojës amerikane të ushtroj detyrimet e mia ndaj atyre qytetarëve që më kanë zgjedhur mua të drejtoj dhe të cilët paguajnë taksa që ju të jepni drejtësi dhe jo afërmendsh të jeni nën diktatin e SPAK-ut, siç e ka deklaruar për gjykatat publikisht Z. Dumani.

Çdo vendim nën diktat jo vetëm do të rëndonte parregullistë e këtij procesi por dhe minonte parimet e shtetit të së drejtës.

Kjo sjellje paragjyqësore e deritanishme (nga SPAK-u dhe Policia) duhet të marrë fund dhe ky proces hetimi dhe gjykimi duhet të vendoset në shinat e procesit të rregullt ligjor në respekt të parimit të prezumimit të pafajësisë”, thuhet ndër të tjera në deklaratën e Ilir Metës.

Ish-presidenti ka deklaruar para togave të zeza se akuzat për mosdeklarim pasurie i konsideron tendencioze, pasi sipas ish-kreut të Shtetit, me plotësimin e formularëve të pasurisë është marrë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi.

Meta theksoi se shumica e pronave dhe llogarive bankare janë të Monika Kryemadhit, duke shtuar se “unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit”.

Ish-Presidenti deklaroi se nuk mban përgjegjësi për shpenzimet e familjarëve, përfshirë ish-bashkëshorten dhe ish-vjehrrën e tij.

“Lidhur me pretendimet për mosdeklarime të shpenzimeve, i konsideroj tërësisht tendencioze. Së pari, nuk mund të mbaj unë përgjegjësi për çdo shpenzim apo pakësim llogarish të familjarëve të mi apo edhe të ish-gruas dhe ish-vjehrrës time.

Së dyti, siç e kam shpjeguar në SPAK me plotësimin e formularëve të pasurisë merrej ish-bashkëshortja ime, e cila i ndiqte edhe me avokat edhe me noter të gjitha veprimet, edhe për arsyen se shumica e pronave dhe rrjedhimisht llogarive bankare ishin të saj dhe i ndiqte ajo. Unë kam qenë në mirëbesim të plotë se ajo çdo gjë e bënte sipas ligjit.

Unë asnjëherë nuk kam refuzuar si individ të bëj deklarimin sipas nenit 5 të ILDKPI. Po kështu, sipas nenit 22 të ILDKPI nuk mbaj përgjegjësi për deklarimin e familjarëve dhe po kështu asnjëherë nuk kam patur sipas nenit 32 as njoftim dhe as gjobë, as nga ILDKPI dhe as nga Tatimet.

Si përfundim zonja Gjykatëse, pas këtyre shpjegimeve që ju dhashë, unë kërkoj nga ju që me vendimin e sotëm të respektoni Kushtetutën, Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, parimin e prezumimit të pafajësisë dhe një proces të rregullt ligjor për të ardhmen”, u shpreh ndër të tjera Meta.