Kryesore “Nuk e kam takuar kurrë McGonigal”, Altin Dumani hedh poshtë akuzat e...

“Nuk e kam takuar kurrë McGonigal”, Altin Dumani hedh poshtë akuzat e Ilir Metës

Kreu i SPAK, Altin Dumani, ka mohuar akuzat e bëra nga ish-Presidenti Ilir Meta mbrëmjen e së hënës në emisionin “Opinion” kundrejt tij.

Dumani shprehet se nuk e ka takuar kurrë Charles McGonigal dhe se gjithçka që thuhet në media është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që ai drejton.

“Unë nuk e kam takuar kurrë McGonigal. Gjithçka është thënë në media, është në vazhdën e akuzave të vazhdueshme e të pabaza që bëhen për institucionin që unë drejtoj. Nuk ka pasur asnjë arsye për të takuar McGonigal, as nuk e kam njohur kurrë dhe emrin ia kam dëgjuar pas publikimeve ne mediat shqiptare”, tha Dumani.

Ish-agjenti i FBI-së, është dënuar nga një gjykatë në Nju Jork pasi pranoi fajësinë për bashkëpunimin e tij të fshehtë me oligarkun rus Oleg Deripaska.

Mbrëmjen e së hënës nga studio e emisionit “Opinion” ku ishte i ftuar, Meta tha se sipas të dhënave të tij SPAK ka nisur hetimin për çështjen e CEZ-it pasi Dumani është takuar me Charles McGonigal.

Blendi Fevziu: Është takuar Dumani me McGonigal-in?

Ilir Meta: Sipas të dhënave të mia. Prit se kam edhe unë të dhënat e mia. Dhe pse ka nisur në Dhjetor 2019 për një çështje të mbyllur për të cilën janë dënuar njerëz? Ka nisur sepse ishte koha që Ilir Meta nuk lejohej të pushtohej Gjykata Kushtetuese nga banda e Edi Ramës sepse Edi Rama nuk donte të kishte shumicën në Gjykatë Kushtetuese, se atë e merrte ai, por donte të merrte edhe 3 të presidentit në mënyrë që të mos kishte asnjë mendim pakicë në Gjykatë Kushtetuese edhe në mënyrë që pothuajse të asgjësohej drejtësia…