Krah homologes Giorgia Meloni në kampin e refugjatëve në Shëngjin, kryeministri Edi Rama shfrytëzoi rastin për t’ju përgjigjur akuzave të mediave italiane gjatë ditëve të fundit, konkretisht reportazhit të emisionit Report në Rai3.
Në fjalën e tij, Rama u ktheu përgjigje pretendimeve të këtyre mediave se në Shqipëri ka mafie dhe në zonën e Shëngjinit ekziston një grup që merret me trafikimin e qenieve njerëzore.
Kryeministri i hodhi poshtë të gjitha këto pretendime dhe shprehu shqetësimin e tij për akuzat e bëra në adresë të Shqipërisë nga mediat italiane.
“Baltë të pamerituar për Shqipërinë dhe shqiptarët” i konsideroi Rama akuzat e mediave të Italisë.
“Më lejoni të shpreh kënaqësinë time t’ju shoh të gjithëve këtu shëndoshë e mirë në këtë zonë që sipas një gazete italiane, zemra e kriminalitetit shqiptar është vendi ku veprojnë klanet e lidhura me trafikun e qenieve njerëzore. E kemi marrë shumë seriozisht këtë zbulim shqetësues dhe meqënëse gazeta thoshte që edhe Prokuroria po merret me zbulimin e këtyre klaneve, do të thotë që po merremi së bashku me Prokurorinë dhe na siguruar që ky klan nuk ekziston as në këtë zonë dhe as në zona të tjera të Shqipërisë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, e cila është pjesë e rrjetit Eurojust, nuk ekzistojnë premisat për të folur për një mafie shqiptare një koncept mjaft i përdorur kohët e fundit për të hedhur baltë mbi Shqipërinë.
Grupet kriminale shqiptare nuk kanë një hierarki të tyre dhe veprojnë në rrethe të ngushta familjare apo shoqërore dhe nuk mund të mos e shfrytëzoj këtë rast për të shprehur trishtim për gjysmë të vërtetat që janë thënë në mediat italiane për të hedhur baltë mbi këtë vend, për të sulmuar marrëveshjen mes dy qeverive, marrëveshjen e bashkëpunimit në luftën migracionit të paligjshëm, duhet të kenë turp ata që të drejtën demokratike për ta kundërshtuar këtë marrëveshje e kanë shndërruar në abuzim të pushtetit të katërt. Falenderoj të gjithë ata që kanë treguar solidaritetin e tyre ndaj nesh, kam marrë mesazhe të shumta nga miq në Itali kundrejt atij lumi balte të shpërthyer ndaj Shqipërisë dhe qeverisë.
Disa qindra metra prej këtu në një hotel të madh jetojnë me shpenzimet tona një komunitet afganësh. Janë gati 350 njerëz që i janë larguar vdekjes pas rënies së Kabulit dhe që janë pranuar nga Shqipëria me mijëra njerëz që asnjë prej vendeve anëtare të NATO nuk i pranoi. Një pjesë e tyre janë strehuar në ShBA dhe Kanada, ndërkohë që çdo të premte vjen një avion deri me 100 persona që qëndrojnë këtu për 3 muaj për t’u transferuar më pas. Ata që nuk i kalojnë filtrat, mbeten të strehuar pranë nesh dhe as nuk do t’i largojmë ata dhe as nuk do të kërkojmë para nga NATO dhe as nga BE edhe pse këto para nuk janë dhe shuma aq të vogla për arkën tonë. Si ta shpengojmë faktin që disa gazetarë investigativë vijnë këtu dhe nuk i shohin ata? Por shohin fantazma, shpirtra të kriminalitet që ekzistojnë vetëm në mendjet e tyre kur paguajnë biletën për të mbërritur në Shqipëri për të informuar publikun e tyre me lajme të shkruara më parë.
Jam krenar për Shqipërinë që mund t’i shërbejë Italisë. Italia i ka shërbyer Shqipërisë shumë herë dhe nëse kemi mundësi të jemi të dobishëm për Italinë, atëherë le ta shfrytëzojmë këtë mundësi dhe ta bëjmë me zemër dhe bindjen që deti mes Italisë dhe Shqipërisë nuk është një hapësirë që na ndan, por që na bashkon prej mijëra vitesh. Dhe në një çast kaq të vështirë jo vetëm për Italinë, por edhe Europën, ne jemi shumë krenar që mund të japim ndihmën tonë si europian me BE-në. Sepse në fund të fundit askush nuk vendos nëse ne jemi europianë apo jo.
Mund të diskutojmë çdo gjë dhe mund të kemi dyshime mbi çdo gjë, qoftë edhe për mirësinë që ka kjo marrëveshje. Nëse do jetë një gabim do jetë një gabim i bërë me zemër dhe jo nga llogaritjet e egra. Në vend që të flasim ne u përpoqëm të bëjmë pa pasur pretendimin që ta zgjidhim këtë problem të migracionit në Europë, pa ndenjur në vend thjesht duke biseduar.
Shpresoj që të mund të kuptohet trazimi që kam në shpirtin tim për faktin që kam jetuar si Kryeministër i këtij vendi të gjithë spektaklin e gjysmë të vërtetave, e një balte të pamerituar ndaj Shqipërisë”, tha Rama.