Aktualitet “Nuk është Durrësi, shih mos ka njeri SHIK-u”, si Çyrbja shpëtoi nga...

“Nuk është Durrësi, shih mos ka njeri SHIK-u”, si Çyrbja shpëtoi nga arrestimi Kreshnik Farrukun

Mes personave që ka ndihmuar deputeti i PS, Jurgis Çyrbja, për të mos u kapur nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera të ligjit, është dhe një individ i quajtur Kreshnik alias Sokol, Besnik Budlla ose Farruku.

Farruku prej muajit maj 2020 është shpallur në kërkim me “pullë të Kuqe” nga zyra e Interpol Tiranës, pasi Gjykata e Romës e ka dënuar atë me 6 vjet e 8 muaj burgim për akuzën e “Trafikut të narkotikëve”.

Gjithashtu Farruku, rezulton i dënuar nga Gjykata e Madridit me 7 vjet e 6 muaj burgim, për akuzën e krimeve kundër shëndetit dhe falsifikim dokumentesh.

Njëherësh Kreshnik Farruku, është deklaruar fajtor dhe dënuar me 5 vite burgim nga gjykata e Ankonës në Itali, për akuzën e pjesëmarrjes në Organizatë Kriminale.

Por të trija këto vendime deri në ditën e sotme nuk janë ekzekutuar nga autoritet shqiptare dhe ato italiane-spanjolle, duke bërë që Kreshnik Farruku, të vijojë të qëndrojë i lirë në Shqipëri.

Aktualisht Kreshnik Budlla, është në proces gjykimi për Konfiskimin e pasurisë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku gjyqtare e çështjes në GJKKO, është Etleva Deda.

Në komunikimet e zhvilluara mes Jurgis Çyrbjes dhe Kreshnik Farrokut, gjatë muajve nëntor 2020-shkurt 2021, konstatohet se në datën 2 dhjetor 2020, del në interes të hetimit se Çyrbja, informon bashkëbiseduesin Farruku, që të kontrollonte ambientin përreth banesës së tij, pasi kishte informacion se mund të ishte në vëzhgim nga strukturat shtetërore dhe më konkretisht nga punonjësit e Shërbimit Informativ.

“…Vetëm shih SHIK-un mos ka njeri vërdallë…”, i shkruan Çyrbja, personit në kërkim, Kreshnik Farruku.

Gjithashtu në bisedat e zhvilluara mes datës 27 dhjetor 2020 deri në 29 shkurt 2021, Kreshnik Budlla alias Farruku, i konfirmon Jurgis Çyrbja faktin se ishte pa punë, dhe person i shpallur në kërkim.

Ndërkohë që zona ishte e rrethuar me punonjës policie, ndaj ka kërkuar prej tij që të interesohej për ta konfirmuar një informacion të tillë, për këtë shkak ishte larguar dhe nga banesa ku jetonte

Ndër të tjera Kreshnik Farruku i shkruan Çyrbjas si më poshtë vijon se:

“…si thu vlla, vjen dot. Po ca të bojm, punë s’kemi, kërkim jemi… Po më thonë çunat është rrethuar zona, pyet pak, ka naj gjo se unë lëviza nga zona. Jam Peralt, ki ai me gur, ki parasysh, Ki kasteli…”.

Ndërsa personi tjetër Jurgis Çyrbja i konfirmon faktin se e dinte vendin ku e kishin lënë për tu takuar duke i shkruar se: “…Po e di, një min”.

Gjithashtu në 29 dhjetor 2020 Kreshnik Budlla, ka kërkuar nga Jurgis Çyrbja, që të pyeste lidhjet e tij për punonjësit e policisë që kishin rrethuar zonën ku banonte, duke i shkruar si më poshtë:

“…ik takoje pak, shif si është puna? Pse po sillen në zonë, janë civilë, katër-pesë makinë, X5 dhe dy tre makina…”.

Jurgis Çyrbja e pyet Farrukun për ngjyrën e automjetit, dhe pas disa çastesh i konfirmon bashkëbiseduesit se nuk ishin punonjësit e policisë së Durrësit, duke i shkruar si më poshtë:

“…ça ngjyre është X 5 gri? Se Durrësi nuk është…”.

Në komunikimet në vijim, Kreshnik Budlla i konfirmon Çyrbes faktin se punonjësit e policisë kishin marrë vëllanë e tij, por nuk dinte arsyen, dhe më pas i konfirmon se e kishin lënë të lirë vëllanë e tij pasi kërkonin për arrestim Kreshnikun.

Ky i fundit i shkruar Jurgis Çyrbjas në “Sky” duke i dërguar mesazhet: “… kanë morë vëllain e vogël, vlla. Tani, Se di pse. Pyt pak ça kan, unë këtu jam…. E kanë lënë atë burazerin, më kërkojnë mu…”.

Ndër të tjerat në bisedat e zhvilluara në vijim, Kreshniku e informon të hetuarin mbi faktin e bllokimit të gjitha llogarive të tij bankare, nga SPAK, pasi ndaj tij ishte hapur një hetim pasuror për pasurinë.

Kreshniku i thotë Çyrbes se: “…vlla jan blloku gjithë llogaritë e mia…”.

Sot e kësaj dite kjo çështje, për hetimin pasuror të Kreshnik Farrukut, vijon të jetë ende në proces gjykimi pranë gjykatës së posaçme. /Ora News