Kryeministri Edi Rama bëri të ditur paraditen e së enjtes se pas një pune me një grup ekspertësh, kanë gati një draft për Asociacionin, që është bërë drejtimin e atyre që i cilësoi si kumbarë të procesit, kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron.
Rama theksoi se propozimi vjen në një kohë kur ndërkombëtarët po reagojnë ashpër ndaj qëndrimeve të mbajtura deri më tani si nga qeveria e Kosovës ashtu edhe nga ajo e Serbisë. Dhe, këto qëndrime, sipas tij, janë një “luks” që Kosova nuk mund ta përballojë.
Ai theksoi se ndërkombëtarët janë zot shtëpie në Kosovë dhe nëse ata vendosin t’i kthejnë shpinën, ato që do të pasojnë nuk do të jenë ngjarje pozitive.
“Ata që në këtë rast nuk janë ndërkombëtarët. Ata janë të zotët e shtëpisë në Kosovë si në asnjë vend tjetër. Ata e kanë krijuar atë shtëpi me bomba dhe shumëçka kanë bërë për atë shtëpi. Dhe për sa kohë ajo nuk njihet botërisht, ata ndërkombëtarët janë limfa vitale e asaj shtëpie. Në momentin që i kthejnë shpinën asaj shtëpia, mos ndodhtë kurrë, ajo shtëpi futet në ditët e veta më të zeza.”
“Jam tejet i shqetësuar për tkurrjen dramatike të Kosovës në sytë e aleatëve dhe për tonet e aleatëve që mund të sjellë pasoja në shumë aspekte duke filluar nga rritja e numrit të trupave në Kosovë, që do të thotë ulje e kapacitetit sovran të Kosovës, ose do të thotë humbje e Kosovës në aspektin e humbjes së një shansi dhe të një mundësie për të integruar veriun në jetën e vet institucionale duke hapur rrugën që veriu të kalojë në kontrollin e trupave të huaja që do të ishte një gjë e tmerrshme nga pikëpamja e interesave tona dhe jo nga ato që shqetësohen të tjerët. Kosova ka që në 1999 që nuk është nën asnjë kërcënim, kërcënimi është vetëm në mendjet e politikanëve në Kosovë dhe është vetëm një mënyrë për të bërë politikë të brendshme duke përdorur hijen e një kërcënimi që nuk ekziston. Serbia nuk ka asnjë fuqi që t’i prekë Kosovës asnjë fije floku.
Nuk është fati i Kurtit në lojë, por i Republikës së Kosovës si e tërë. Dua vetëm suksesin e Kurtit dhe asgjë tjetër, por nuk mund të rri më duke parë në kushtet kur realisht ajo që shoh duhet ndarë me të gjithë sepse është një kërcënim i madh që nuk i vjen Kosovës nga Serbia, por nga reduktimi i marrëdhënies me aleatët në një nivel ku e humbura e madhe është Kosova”, tha Rama.