Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, thotë se është “i dashuruar” me Marco Verratti, pasi mesfushori italian e ndihmoi PSG të triumfonte të martën në Ligën e Kampionëve. Verratti dhe PSG mposhtën Manchester City 2-0 në “Parc des Princes”, me Idrissa Gueye dhe Lionel Messi që shënuan golat.
Pavarësisht se Messi shënoi golin e tij të parë për klubin e ri, ishte shoku i skuadrës, Verratti, ai që pushtoi zemrën e Guardiolës me paraqitjen e bërë në mesfushën pariziene. “Unë jam i dashuruar me të. Verrati është i jashtëzakonshëm, – tha Guardilola. – Edhe nën presion, ai arrin të gjejë ato pasime, të cilat lejojnë që mesfusha të jetë e lirë. Nuk është një lojtar për pasime të gjata, por gjithmonë mund të mbështeteni tek ai për të ndërtuar lojën. Ne arritëm ta kontrollonim atë më mirë në pjesën e dytë, por në pjesën e parë ishte vërtet i jashtëzakonshëm”.
Manchester City nuk ishte në gjendje të shënonte kundër PSG, pavarësisht se kishte disa shanse të qarta për ta bërë këtë gjatë gjithë ndeshjes.
PSG, ndërkohë, shfrytëzoi plotësisht shanset e veta. “Ata mund të ta marrin hapësirën, – shtoi Guardiola. – Janë lojtarë të jashtëzakonshëm, si Messi-Suarez-Neymar te Barça. Jo shumë ekipe mund t’i kenë këta lojtarë. PSG i ka, ne nuk mund t’i kontrollonim ata.
Është e vështirë të kontrollosh Messin për 90 minuta. Është e vështirë ta ndalosh atë, na është dashur t’ia minimizojmë mundësitë që të prekte topin. Ne bëmë atë që dimë të bëjmë, mirë apo keq, por jemi ata që jemi. Kësaj here ishte edhe Verratti i jashtëzakonshëm, që arriti të gjente lidhjen me Neymar”.