Extra Nuk është ndërtuar ende, shtëpitë në qytetin e parë pluskues po shiten...

Nuk është ndërtuar ende, shtëpitë në qytetin e parë pluskues po shiten më shumë se 1 miliardë euro

Nuk është ndërtuar ende, por shtëpitë në qytetin e parë pluskues kanë dalë në shitje dhe çmimet po kalojnë 1 miliardë euro. Pronat në ishullin artificial, të quajtur Blue Estate, në detin e Karaibeve, janë mjaft të kërkuara, edhe pse nuk janë materializuar ende. Në të gjenden edhe apartamente modeste, që nisin nga 15 mijë euro, por mansioni gjigant arrin shifrën stratosferike.

Ishulli, që do të ndërtohet me një teknologji ultra moderne, me blloqe betoni, do të ketë një sipërfaqe sa gjysma e Principatës së Monakosë. Edhe pse shtëpitë kanë nisur të shiten që tani, ato do të jenë gati në vitin 2025.

Sipas ndërtuesve, qyteti pluskues do të mbajë 15 mijë banorë të përhershëm, disa biznese, një klinikë shëndetësore të fjalës së fundit të teknologjisë dhe një shkollë ndërkombëtare. Qyteti do të jetë vetëm pak minuta larg Majamit dhe Bahamasit, ku rezidentëve u garantohet më shumë se 340 ditë diell në vit.

Zhvilluesit e projektit thonë që ishulli, edhe pse quhet pluskues, do të jetë shumë i qëndrueshëm dhe banorët nuk do të ndjejnë as lëvizjen më të vogël. Ai do të jetë i rrethuar nga mure mbi 48 metra të lartë, që do ta mbrojnë nga rrymat e forta të detit të Karaibeve.