Aktualitet “Nuk është spiune”, flet miku i ruses të arrestuar në Shqipëri: Ja...

“Nuk është spiune”, flet miku i ruses të arrestuar në Shqipëri: Ja si i siguron paratë

Njëri nga shokët e Svetlana Timofoeva, ruses së arrestuar në Shqipëri e cila akuzohet për spiunazh, thotë se ajo nuk është spiune.

Mikhail Kurylev ka rrëfyer për Euronews Albania se ai është ngjitur me shtetasen ruse në 2018 në Sevastopol, ndërkohë janë futur bashkë në bunkere të vegjël në atë zonë.

Teksa e cilëson një mike të tij, ai nënvizon se Svetlana Timofoeva nuk është spiune, por e pasionuar pas eksplorimit të zonave.

“Unë dhe Lana njihemi që nga viti 2018. Jemi njohur në rrjetet sociale, njoh edhe ish-të dashurin e saj. Jemi miq. Jo, jo ajo nuk është spiune sepse e njoh këtë vajzë edhe prej miqve të mi rusë në Moskë. Unë njoh shumë prej miqve të saj, të cilët kanë të njëjtin pasion, eksplorimin urban”, tregoi ai.

Sa i përket makinës me të cilën 2 rusët dhe ukrainasi udhëtonin në Shqipëri, Kurylev tha se ky mjet është në pronësi të shtetasit ukrainasit.

“Ajo është makina e ukrainasit, i njohur për eksplorimet e tij urbane. Nuk e njihja në fakt ukrainasin në jetën reale, por shokët e mi e njohin”, tregoi ai.

Mikhail Kurylev thotë më tej se spray që u përdor ndaj ushtarëve në uzinën e Gramshit nuk është i jashtëligjshëm në Rusi dhe Ukrainë.

Ai shpjegoi se ky lloj spray përdoret për të sulmuar kafshët e egra dhe njerëzit agresivë.

“Në Rusi në kemi disa spray që përdoren për të sulmuar kafshët e egra dhe njerëzit agresivë. Ky është gazi, unë kam një të tillë në shtëpi, nuk është ilegal në Rusi dhe Ukrainë”, u shpreh i riu.

Pyetjes se ku i siguron paratë rusja për të bërë udhëtime, miku i saj u shpreh se ajo përfiton para nga ekskursionet që zhvillon, kryesisht në Gjeorgji.