Julian Deda ka rrëfyer sot se marrëdhënia me Gentian Zenelaj, tashmë është siç ka qenë dikur dhe se vitet kur ata nuk flisnin, i konsideron kohë të humbur.
I ftuar në “Rreze Dielli” ai u shpreh se ribashkimi për emisionin e fundvitit “Klanifornia” ishte i thjeshtë.
Julian Deda kujton edhe momentin kur piu kafen e parë me Gentian Zenelajn, dhe kuptoi se nuk kishte asgjë për të sqaruar.
“U rikthyem sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Treshja jonë është një treshe organike, jo e stisur. Të tre jemi në pozicionin e tij, në mënyrë organike, kur marrim materialin e ndjejmë cili rol është për kë. E dimë sa do të flasë tjetri, mjafton një shikim me sy. Ribashkimi qe krejt i thjeshtë sikur s’kishte ndodhur asgjë. Me Gentin ishte e njëjta gjë, edhe pas disa vitesh që nuk flisnim. Pas dy ditësh ikëm edhe në Ersekë. Kur pimë kafen e parë, kuptuam që nuk kishte asgjë për tu sqaruar, as nuk kemi pse merremi. Boll është një kohë e humbur këto vite që nuk kemi patur bashkëpunim, dhe nuk ia vlen të humbim më asnjë minutë nga sot e mbrapa”, shprehet Julian Deda.
Megjithatë Jul Deda ka pohuar se rikthimi i SHBLSH nuk ishte thjesht për një natë spektakli. Ata mund të vijnë me projekte të tjera, qoftë në show humori por edhe në projekte kinematografike.
“Do kemi bashkëpunime shumë shpejt. Duhet të shfrytëzojmë dëshirën e publikut për të na parë sërish bashkë. Mund të jetë Klanifornia, një projekt jashtë, një film. Kam patur disa bisedime për të nisur një emision në Kosovë, por ai që më ftoi për të realizuar projektin nuk është gati.”
Por a do të rikthehet Gentian Zenelaj?
Julian Deda ka thënë se dera e “Klanifornias” është e hapur për të, por nuk ka thënë një përgjigje konkrete nëse së shpejti do ta shohim edhe Gentian Zenelaj në spektaklin e humorit.