Kryeministri Edi Rama ka treguar live në Elbasan këtë të martë të dhënat në kartën e tij të identitetit. Kreu i qeverisë i ktheu përgjigje edhe akuzave të Presidentit Ilir Meta për marrjen e të dhënave të tij personale nga mazhoranca socialiste.
Por Rama u shpreh se qytetarët dhe ai vetë dinë shumë gjëra për Metën dhe se numri i kartës së identitetit ‘nuk i duhet as dreqit’. Kreu i ekzekutivit u bëri thirrje qytetarëve që të mos shqetësohen për publikimin e numrit të kartave të identitetit, pasi ato aktualisht janë sikur të marrin ‘targën e makinës’.
“Kam marrë me vete kartën e identitetit. Dua t’ju lexoj numrin e identitetit atyre që janë shqetësuar nga kjo përpjekje e tërbuar për t’ju futur pasigurinë, për t’ju futur ankthin dhe për t’ju çoroditur sikur çfarë ka ndodhur. Mbajeni shënim kartën time të identitetit: Rama Edi; kombësia, shqiptare; Lindur në Tiranë; 04.07.1964 dhe numri i kartës sime G40704039G. Ja e morët dhe kartën time. Ç’e doni? Kujt i duhet ky numër? Çfarë do bëni me këtë numër? E dëgjuat Liken? Më kanë marrë kartën tha. Më dinë numrin. O Like ne të dimë shumë gjëra ty se ai numër nuk i duhet dreqit. Prandaj mos u shqetësoni fare, askush të mos shqetësohet. Karta e identitetit e cila është trashëguar nga një kohë tjetër sot nuk është ende karta e ID-së që duhet të jetë sepse do të ishte problem nëse karta jonë e identitetit nuk do ishte thjesht dokument identifikimi, por do kishte brenda të dhëna personale, do kishte brenda sigurimet shoqërore, do kishte brenda kartat shëndetësore, do kishte brenda shumë informacione të tjera siç kanë kartat e identitetit në shumë vende dhe të gjitha vendet e Europës ku duam të integrohemi. Kjo është si me të marrë targën e makinës. Kjo është si me të marrë nuk e di, numrin 12”, tha Rama.