Aktivistja e njohur Linda Rama dhe njëherësh bashkëshortja e kryeministrit të vendit në studion e “Ilva Now” në Euronews Albania komentoi si e përjetoi fitoren e mandatit të tretë të Partisë Socialiste.
“Provon një sens lehtësie, ndjehesh më e lehtësuar dhe ndjehesh e energjizuar. Është shumë i rëndësishëm për të çuar përpara një agjendë që vetëm Edi e çon në një stacion të pakthyeshëm”, tha znj. Rama.
Përballë gazetares Ilva Tare, znj. Rama tha se fitoret në politikë nuk i kanë festuar asnjëherë në familje.
“Nga ana tjetër, doja të thoja këtë gjë që ne asnjë fitore të Edit, se janë disa fitore, janë gjithmonë fitore në një farë mënyre, të paktën për sa kohë unë jetoj me të, ne nuk e festojmë. Asnjëherë nuk kemi festuar një fitore të zgjedhjeve të Edit, sepse fitoret e partive në zgjedhje, nuk janë si fitore në sport, që ti je në një kampionat sporti, je më i miri, fiton një kupë, kupa është aty, është e pakontestueshme, e ke për gjithë jetën dhe i gëzohesh asaj kupe. Në politikë nuk është kështu. Në politikë, një fitore është thjesht një privilegj i madh dhe një mundësi e madhe për të vijuar për të bërë punë. Dhe ndërsa ti bën gjithë këto punët në vijim, është një stres i përditshëm dhe është një konfirmim që ti e kërkon që ta marrësh çdo ditë dhe çdo ditë të punës tënde”, shtoi znj. Rama.
Gjatë intervistës ekskluzive në Euronews Albania, znj. Rama nuk kurseu këshillat dhe sugjerimet për mënyrën se si duhet ta drejtojë Rama vendin në mandatin e tretë, ndërsa tha se Shqipëria ka nevojë për zhvillim cilësor dhe standarde të reja.
“Edi thotë që mandati i tretë s’duhet t’i ngjajë dy mandateve të para. Biem dakord për këtë dhe kur hapet ndonjë aspekt më konkret fillojmë flasim. Por ajo që do të thoja unë se si do ta organizojnë këtë mandat është çështje e Partisë Socialiste dhe e Edit. Por, ajo që do të thoja unë është që Shqipëria ka arritur në pikën që ka nevojë për zhvillim cilësor dhe për standard. Ky duhet të jetë fokusi dhe mendoj që Shqipëria nuk ka më kohë që të presë që cilësia dhe standardi të jenë kryefjala e çdolloj gjëje që i ofrohet”, theksoi ajo.
Aktivistja Linda Rama komentoi nivelin e demokracisë në Shqipëri dhe për këtë theksoi se zërat dhe mendimet ndryshe, kudo ato qofshin, i shërbejnë rritjes dhe përmirësimit të demokracisë në çdo ndërmarrje.
“Jemi akoma me plagë të hapur”, Linda Rama përlotët ndërsa rrëfen për humbjen e Aneta Ramës
Linda Rama foli ndër të tjera edhe për marrëdhënien e saj me Aneta Ramën, nënën e kryeministrit Rama e cila u nda nga jeta vitin e kaluar.
Zonja Rama tha se ka pasur një lidhje të ngushtë me të, ndanin bashkë biseda të gjata dhe ndarja e saj nga jeta ishte padyshim një dhimbje që ende mbetej e prekshme.
“Po të ishte Zaho këtu tani, t’ju dëgjonte me këtë pyetje do thoshte, do më shihte mua menjëherë, dhe do thoshte “mami, mos qaj”. Ajo që mund të them unë është që ne jemi akoma me plagë të hapur për humbjen e mamasë së Edit dhe fushata ishte shumë afër dhe na e bëri më evidente mungesën e saj, veçanërisht mua, që në fakt bisedat me mamanë e Edit i kisha të përditshme, sigurisht, por i kisha shteruese, i kisha shumë të gjata dhe vërtet shteruese. Mendoj që kishte një problem me ne sepse ne, mamaja e Edit na kishte bindur në kohë që nuk do ikte asnjëherë”, u shpreh e përlotur nga pyetja e gazetares Ilva Tare, znj. Rama.
Aktivistja rrëfeu përçmimin që Aneta Rama kishte ndaj dhimbjes dhe se sa e përkushtuar ishte në familje ndërsa tha se admironte mënyrën si e kishte përballuar me dinjitet gjuhën e egër politike, që sigurisht nuk e kishte kursyer as mamanë e kryeministrit.
“Ajo ishte përçmuese ndaj dhimbjes, ishte e pakrahasueshme në përkushtimin e saj. Ishte shumë kurajoze në të gjitha këto sfidat që e vinte shëndeti i saj i brishtë dhe do thosha ishte jashtëzakonisht dinjitoze dhe mund të them edhe këtë që ajo ishte madhështore në mënyrën se si e përballoi të papërballueshmen për aq shumë gjatë për shkak të gjuhës shumë të egër politike”, u përgjigj znj. Rama
Linda Rama shtoi gjithashtu se zonja Aneta ka qenë mbështetësja më e madhe e kryeministrit Rama dhe se kishte besim të plotë tek ai, mirëpo njëkohësisht ka qenë dhe kritikuesja më e ashpër e tij, që nuk i ka kursyer kurrë këshillat.