Pas katër ditësh në spitalin e Traumës, 42-vjeçari, Rigels Kaso nuk u ka mbijetuar dot plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë pasditen e sotme.
Rigels Kaso, i cili u gjet me plagë në kokë dhe trup në Tiranë u dhunua nga një 34-vjeçar. Shkak për këtë ngjarje të rëndë dyshohet se është bërë një komunikim që Kaso ka pasur me partneren e dhunuesit. Dyshja flisnin në rrjetet sociale, por bisedat ishin lexuar nga partneri i vajzës, i cili i doli në takim ku Kaso mendonte se do të takonte vajzën me të cilën fliste kohët e fundit.
42-vjeçari ka ardhur nga Bilishti për në Tiranë, duke shkuar në adresën që ‘ajo’ i kishte dhënë në rrjetet sociale, por u përball me bashkëjetuesin e saj, i cili e dhunoi barbarisht me grushte.
Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës më datën 15 korrik dhe ai u gjet nga kalimtarët në mëngjes të cilët njoftuan ambulancën. 42-vjeçari përfundoi në spitalin e Traumës, ku edhe luftoi me vdekjen për 4 ditë, por nuk ia doli që të mbijetonte.
Ndërkohë autori është shpallur në kërkim, por ende nuk është bërë e mundur që të lokalizohet nga ana e policisë.
Rigels Kaso për një periudhë të gjatë kishte punuar në klubin e futbollit Devolli, madje edhe kishte përfunduar disa kurse pranë sektorit të garave në FSHF përfshirë këtu edhe atë të analistit. Paralelisht, Kaso ushtronte një aktivitet privat në qytetin e Bilishtit, kryesisht me riparime televizorësh dhe kamerash sigurie.