Kur ka mbërritur në moshën 40-vjeçare, Zlatan Ibrahimovic ka nisur të mendojë seriozisht nëse ka ardhur momenti t’i japë fund karrierës futbollistike. Suedezi në këtë sezon ka vuajtur shqetësimet fizike, megjithatë në fushë ka treguar se mund të jetë vendimtar për Milanin.
Sulmuesi ende nuk ka një përgjigje të saktë nëse do të vazhdojë edhe për sezonin e ardhshëm, ndërsa së fundmi ka marrë një këshillë nga një legjendë si Francesco Totti.
Ish-kapiteni i Romës theksoi se Ibra duhet të vazhdojë të luajë deri në momentin kur trupi i tij ta lejojë, teksa shtoi se nuk i uron askujt t’i ndodhë ajo që ngjau me të në vitin e fundit te Roma, kur këmbët nuk i punonin aq shpejt sa mendimet në kokë.
“Si një fans i futbollit edhe unë shpresoj që Ibra të vazhdojë, do të ishte një dhuratë për të gjithë ata që e duan këtë sport. Por, ky vendim është shumë personal dhe Ibra duhet të vazhdojë përsa kohë këmbët dhe trupi e lejon të jetë deçiziv. Unë nuk do t’ia uroja as armikut më të madh atë që ngjau me mua në sezonin e fundit te Roma sepse në një pikë të caktuar mësohesh me aktivizimin nga stoli dhe humbet ritmin.
Futesh në lojë dhe e kupton se topi të vjen me vonesë, në mendimet e tua e ke të qartë atë se çfarë do të bësh me topin, por këmbët lëvizin shumë më ngadalë se mendimet dhe në këtë formë je gjithnjë mbrapa në veprime. Gjithsesi, kur kanë mbetur ende disa javë kampionat, unë shpresoj ta shoh edhe disa herë të tjera Ibrën duke festuar gola”, u shpreh Totti.