Kryeministri Edi Rama tha nga Sllovenia në forumin strategjik të Bledit, u shpreh se Shqipëria ka buxhetin më të vogël se i Kristiano Ronaldos, teksa foli për krizën energjetike në vend.
Pavarësisht se buxheti i Shqipërisë sipas Ramës është i vogël dhe se jemi në krizë energjetike në vendin tonë nuk është rritur çmimi i energjisë për familjet shqiptare dhe bizneset e vogla.
“Kemi marrë një vendim, një vendim kurajoz mendoj, dhe koha do ta tregojë nëse është kurajoz apo jo i mençur për të mos prekur çmimet e energjisë për familjarët dhe bizneset e vogla. Ne po e mbulojmë plotësisht këtë diferencë që është mjaft e dhimbshme për buxhetin shqiptar që është më pak se buxheti i Cristiano Ronaldos, por sërish, ne ja kemi dalë të vazhdojmë kështu”, tha Rama.
Deklaratës së Ramës i është përgjigjur moderatori duke i thënë: “Ndërkohë që vijojmë me Moldavinë, analogjia me buxhetin e Cristiano Ronaldo-s, i cili tani rri më shumë në stol, e bën edhe më të padrejtë”.
Sakaq kreu i qeverisë pas reagimit direkt të moderatorit tha se nuk ka asgjë kundër Cristiano Ronaldos, ndërsa shtoi se buxheti i Shqipërisë është modest.
“Le të mos flasim për drejtësi sepse do të ishte shumë e vështirë që të dilnim nga ky diskutim i drejtë e i padrejtë. Nuk kam asgjë kundër Cristiano Ronaldos, që të sigurohem që të mos ta merrni si sjellja e një juventini të tradhtuar. Thjesht po them që buxhetet tona janë shumë modeste krahasuar me të mëdhenjtë dhe duke mos qenë edhe në Bashkimin Europian”.