Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, paralajmëroi personat përgjegjës për zjarret që kanë përfshirë vendin, se nuk do të arrijnë të ndryshojnë kurrë destinacionin e tokës, për të krijuar hapësira të reja për ndërtim.
“Unë e di që shumëkënd mund ta gënjejë mendja se duke shkretuar një sipërfaqe të pyllëzuar, mund ta kthejë në truall. Por që ta bësh këtë duhet të marrësh një leje ndërtimi, duhet të ndryshojë në hartë dhe në hartë nuk ka “burrë nëne” ta ndryshojë. Sot pothuajse të gjitha bashkitë kanë planin e përgjithshëm vendor, kanë zoonimin funksional, pra pavarësisht si e bën dora e njeriut, ajo mbetet zonë e gjelbër të hartë. Dhe nëse një kryetar bashkie jep leje ndërtimi, shkon në burg”, tha Peleshi në një prononcim për A2. “Mos iu gënjejë mendja se shkretuar sipërfaqe me pyje, duke i shkaktuar dëme kaq të mëdha bregdetit por dhe gjithë Shqipërisë, nesër mund të merrni një leje ndërtimi. Ka ikur ajo kohë”.
Ministri sqaroi se deri tani janë ndaluar 6 persona të dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa shumë të tjerë janë nën hetim. “Kemi marrë lista nga pushteti vendor për të dyshuar, barinj dhe jo vetëm barinj. Nuk ka ndonjë sekret kur them se të gjitha agjencitë tona të inteligjencës janë duke i kushtuar të gjithë vëmendjen, jam në komunikim të vazhdueshëm me të gjitha strukturat shtetërore. Po bashkojmë forcat për të zbuluar të gjithë ata që mund t’i kenë vënë flakën vendit. Do të vazhdojmë edhe pasi të kalojë kjo situatë, të kërkojmë dënimin shembullor të tyre, që të krijojmë precedent pozitiv për të ardhmen”, tha Peleshi.
Sa i përket situatës në terren, Peleshi tha se të gjithë aktorët që po marrin pjesë në këtë operacion janë përpjekur të mos ndikojnë të turizmi. “Në Llogara po punojmë në prapaskenë të bregdetit dhe po mundohemi që të mos i dalë tymi nga turistët. Ia kemi dalë deri tani, me përjashtim të një zjarri në Himarë që u duk edhe nga bregdeti, operacioni është zhvilluar larg njësive të turizmit, pothuajse nuk ka pasur ndikim aty”.
“Ka ende disa vatra, por jemi larg rrezikut për të prekur Llogaranë, apo zonat e banuara. Zona e Dukatit nuk rrezikohet. Mesnatën e djeshme kemi pasur një vatër të re në Gjirin e Gramës, por ndërhymë në kohë për të mbajtur larg turistët. Ka pasur një moment gjatë paradites që zjarri është egërsuar, por fatmirësisht ndërhyri helikopteri i ri që erdhi nga Holanda dhe tani mund të themi që është vendosur në kontroll. Por duhet të falënderojmë edhe ata që punojnë nga toka, pasi pa ta nuk mund të shuhen zjarret. Ne kemi luftuar më shumë se kudo tjetër në Llogara sepse ka qenë pika më kritike e këtyre ditëve të fundit. Por kemi vatra edhe në Kukës, Vermosh, Mirditë, në Theth, kemi fikur tashmë vatrën në Fushë Arrëz”, tha Ministri i Mbrojtjes.