Bashkimi Europian nuk arrin të kapërcejë ngërçin për negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Është sërish Bullgaria që bllokon gjithçka, pavarësisht se asnjë shtet anëtar nuk ka kundërshti ndaj Shqipërisë.
Ministrat e jashtëm të Unionit nuk arritën të gjenin zgjidhje për caktimin e një date për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me Tiranën dhe Shkupin.
Bullgaria nuk bëri lëshime për çështjet e hapura që ka me Maqedoninë e Veriut, ndërsa BE nuk pranon që të ketë ndarje të Shqipërisë në procesin e integrimit.
Ministrja e Jashtme e Portugalisë, Ana Paula Zacarias, tha në përfundim të Samitit të ministrave të Jashtëm: “Pavarësisht të gjitha përpjekjeve, ishte e pamundur të binim dakord për kuadrin negociues për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe për të mbajtur konferencat e para ndërqeveritare me këto dy shtete. Por ramë dakord që presidenca sllovene do të vijojë përpjekjet për të arritur në përfundimet pozitive që kishte miratuar edhe presidenca portugeze. Perspektiva europiane për vendet e Ballkanit Perëndimor është jetike dhe është e rëndësishme të mos e humbasim këtë moment”.
Shqipëria ka mbetur në këtë mënyrë peng i vetos bullgare për Maqedoninë e Veriut, ndonëse i kishte plotësuar të gjitha kushtet për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare me BE-në. Këtë radhë, vendi ynë kishte edhe mbështetjen e Holandës, vend që vitet e kaluara ka bllokuar procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Bullgaria kërkon që Maqedonia e Veriut të njohë zyrtarisht se gjuha e saj ka rrënjë bullgare, kurse Maqedonia e Veriut nga ana tjetër thotë se Bullgaria po pengon të drejtën e saj për vetëvendosje dhe duke bllokuar bisedimet e anëtarësimit nuk po tregon as “miqësi as vëllazëri”.
Më herët ishin ministrat e jashtëm të Gjermanisë dhe Sllovenisë që shtuan presionin për heqjen e bllokadës bullgare, por pa rezultat.
Shpresa për caktimin e një date mbetet në samitin e radhës që pritet të mbahet gjatë vjeshtës.