Pas rreth dy orësh diskutim me opozitën parlamentare, kryeministri Edi Rama u shpreh se nuk u arrit në një dakordësim për marrëveshjen për Reformën Zgjedhore të arritur pak ditë më parë me opozitën jashtëparlamentare dhe se diskutimet do të vijojnë.
Në një prononcim për mediat pas përfundimit të takimit, Rama u shpreh se mazhoranca ndodhet aktualisht mes dy zjarreve, ku nga njëra anë qëndron marrëveshja e arritur me PD, e nga ana tjetër votat që mungojnë nga opozita parlamentare për të kaluar ndryshimet e kodit në Parlament.
“Po vazhdojmë të diskutojmë, më vjen keq që dëgjova në tryezë akuza për tentativa për influenca le të themi jo korrekte mbi deputetët. Ju e dini shumë mirë që qasja për të gjetur një marrëveshje qetësuese për kryetarin e opozitës që e ka kronike frikën nga zgjedhjet, kishte synimin që të krijojë kushtet që të gjithë të jenë të përfshirë dhe të gatshëm për zgjedhje. Unë e kuptoj shumë mirë që ka një opinion të gjerë që mendon se hapja e listave ka një efekt çudibërës në procesin demokratik, por unë nuk e besoj këtë, sepse nuk ka sistem më demokratik se tjetri, secili vend bën zgjedhjen e vet”.
I pyetur a rrezikohet të shkohet në zgjedhjet e ardhshme me të njëjtin kod zgjedhor, Rama tha se kjo nuk është e mundur.
“Me këtë kod ne nuk shkojmë dot në zgjedhje, sepse sidoqoftë ka nevojë për disa ndërhyrje, ku kryesorja është që duhet të ndërhyjmë në kod minimumi për të garantuar instancën e ankimimit që sot ka rënë, për këtë arsye duhet të kemi konsensusin e opozitës parlamentare”.
Edhe në këtë deklaratë, Rama nuk i ka kursyer ironitë për kryedemokratin Basha.
“Ne kemi dakordësuar një marrëveshje, nuk është që unë dhe PS do të donte, por duke qenë se synimi kryesor ishte gjithëpërfshirja dhe hapja e një rruge dialogu për opozitën joparlamentare, që ka një psikozë që është e pangushëllueshme ndryshe për zgjedhjet, atëherë ne pranuam që pasi topi shkoi në fushën e Bashës dhe nuk po dukej gjëkundi, t’i themi bëjë si do ti… Nga ana tjetër ne gjendemi midis dy zjarreve, se nga një ana kemi këtë marrëveshje dhe një miratim në parlament…”
Rama tha se do të ishte e udhës që edhe Lulzim Basha të bëhej pjesë e këtij procesi për të bindur opozitën parlamentare.
“Mendoj që ku ka vullnet ka gjithmonë një zgjidhje. Ne do të përpiqemi të gjejmë një zgjidhje me dinjitet. Mendoj që është koha që të bëjmë të gjithë një sforco, edhe unë patjetër, që të flasim më shumë me njëri-tjetrin, jo për njëri-tjetrin dhe mbase do të ishte e udhës që edhe Lulzim Basha ta konsideronte që të futej në këtë proces dhe të bënte një komunikim edhe ai me ata që ai ka sjellë këtu në parlament, se në fund të ditës. Nuk është aspak si të mëkat, përkundrazi dhe kështu të bashkojmë forcat për të gjetur një rrugë të arsyeshme, për t’i dhënë zgjidhje një situate që nuk është absolutisht e lehtë, siç mund të duket”.