Ka përfunduar pas më shumë se 4 orësh diskutime mbledhja e radhës e Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore.
Ndonëse afati kur kjo reformë duhet të përmbyllet është pranë përfundimit, palët ende nuk kanë arritur një konsensus për çështjet më të rëndësishme të saj.
Përdorimi i teknologjisë, mënyra e ankimimit dhe sistemi zgjedhor ishin çështjet e diskutuara sërish në takimin e sotëm, për të cilat ende nuk ka një dakordësi.
Përfaqësuesi i opozitës në këtë tryezë Oerd Bylykbashi deklaroi pas takimit se PS tregoi edhe njëherë se nuk heq dorë nga vjedhja e votave dhe mbushja e kutive.
“Për të tretën ditë me radhë partia socialiste bëri me dije se nuk heq dorë nga qëllimi u saj për të mbushur kutitë e votimit. Partia Socialiste, sot përsëri, pavarësisht insistimeve se e ka të qartë se kjo është çështje themelore, nuk heq dorë nga modeli i 30 qershorit. Vetë mbush kutitë, vetë i numëron, vetë shpall rezultatin. Partia Socialiste në strategjinë e saj ka vetëm një gjë vjedhjen dhe marrjen e votave në tavolinë. Kjo është një vizë e kuqe të cilën opozita nuk do lejojë të kalohet. Pa u arritur dakordësia për propozimin tonë që bllokon mbushjen e kutive të votimit përmes identifikimit biometrik në të gjitha kutitë e votimit nuk ecet përpara”, tha Bylykbashi.
Ndërsa Petrit Vasili tha se me qëndrimin që po mban mazhoranca kërkon të legjitimojë zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas tij qëllimi i vetëm i PS është që të minojë reformën zgjedhore.