Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, me anë të një statusi të gjatë në Facebook, është shprehur se disa portale po mashtrojnë me lajmin se ai ka blerë një makinë me vlerë 150 000 euro.
“Po bëhen disa javë që disa portale ordinere dhe tutorët e tyre jo dhe aq periferikë, po përpiqen të mbajnë gjallë tymin e një mashtrimi skandaloz. Sipas tyre, Ministri i Brendshëm paska blerë një makinë, që herë kushton 100 milionë lekë e herë arrin në 150 mijë Euro. Aq shumë janë sforcuar për ta përsëritur këtë mashtrim, sa ai ka mbërritur edhe tek disa qytetarë të nderuar, të cilët më kanë pyetur rreth të vërtetës”, shkruan Lleshaj.
Ministri jep këto sqarime: “Sandër Lleshaj si person ka në pronësi një automjet mëse të zakonshëm, që prej një dekade. Ai nuk e ka as të mundur dhe as ndërmend të blejë një makinë të re;
Për shkak të funksionit shtetëror, Ministri i Brendshëm dhe grupi i tij i shoqërimit ka në përdorim disa automjete;
Po bëhen disa muaj që një automjet i dalë jashtë përdorimit është zëvendësuar me një të ri;
Automjeti nuk ka kushtuar 100 milionë lekë, as 150 mijë Euro, sikundër përpiqen të infektojnë opinionin publik shpellat e dyshimta virtuale, por vetëm 49 mijë Euro;
Ky çmim, i cili është sa gjysma ose sa një e treta e atij që është hedhur në eter në mënyrë të paturpshme nga larot dhe tutorët e tyre, e bën të qartë përpjekjen kriminale për intimidim dhe për dezinformim publik;
Vetëm për krahasim, vlen të theksohet se vlera e automjetit të ri në përdorim të Ministrit të Brendshëm është e përafërt me vlerën e automjeteve të reja të vëna në përdorim të Policisë së Shtetit, në Tiranë dhe në të gjitha qarqet e vendit gjatë këtij viti, si pjesë e programit të modernizimit të saj.
E vërteta është kaq e thjeshtë. Nuk ka makinë për Sandër Lleshajn, por për shtetin; nuk ka makinë 100 milionëshe, por një makinë krejt normale, me çmim mëse të zakonshëm”.
Lleshaj thekson se përgjigjja e tij do të jetë në rrugë ligjore dhe gjyqësore.