Seanca inauguruese e legjislaturës së shtatë në Kuvendin e Kosovës do e gjejë vendin pa dakordësinë për qeverinë. Në një video-mesazh, kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se oferta që i është propozuar LDK-së është refuzuar. Ajo përmbante tri pika dhe afatin e kishte deri në mesnatën e mbrëmshme.
“Kisha planifikuar që sot të takoj deputetë të pakicave dhe sot ta mbanim mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit të Përgjithshëm të LVV, mirëpo këto u pamundësuan nga refuzimi i mbrëmshëm i ofertës sonë për koalicionin qeverisës duke na dërguar nesër në Kuvendin e Republikës pa marrëveshje për qeverinë. Të dashur qytetarë të Kosovës, është obligimi im moral, shtetëror e kombëtar, qytetar e njerëzor që t’iu njoftoj se në seancën inauguruese të legjislaturës së shtatë do të shkojmë pa dakordimin për qeverinë.
Marrëveshjes nuk kemi mundur t’ia bashkëngjisim edhe atë për ndarjen e përgjegjësive. Oferta ime e datës 23 Dhjetor 2019 u refuzua dje. Ajo i kishte tri pika dhe afatin deri në mesnatën e mbrëmshme.
Pika e parë: LVV i takon kryetari i Kuvendit dhe nënkryetari i Parë. LDK-së i takon nënkryetarin e dytë. Le ta bëjmë rokadën përmes kryeparlamentarit dhe nënkryetarit të dytë të parlamentit. Kryeparlamentarin e merr LDK ndërkaq nënkryetarin e dytë Vetëvendosje.
Pika e dytë: Çështjen e Presidentit më së miri e lëmë për më vonë, por nëse LDK insiston që ne patjetër ta bëjmë nominimin për LDK atëherë ne duhet të na shtohet një ministri, Ministria e Punëve të Brendshme.
Pika e tretë: Sipas kërkesës së LDK, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ndahet me ç’rast Kultura dhe Rinia i kalojmë Ministrisë së Arsimit, Teknologjisë, Shkencave dhe Inovacionit dhe Sporti i kalon Ministrisë së Shëndetësisë. Pakicat joserbe marrin Ministrinë e Zhvillimit Rajonal ose të Pushtetit Lokal dhe pakica serbe Ministrinë për Komunitete”, tha Kurti.
Ai shtoi se një muaj nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, LDK nuk ka bërë asnjë kompromis.
“Oferta e parmbrëmshme ishte koncesioni ynë i pestë. Më shumë se kaq përtej kësaj dhe ndryshe nga kjo nuk mundemi. Duam ta ndajmë përgjegjësinë qeverisëse me drejtuesi e bujari duke lëshuar pe edhe pse fitues edhe duke i dhënë të dytëve gjysmën e qeverisë. Pritja i kushton shtetit”, tha Kurti, i cili shtoi se “Ndryshimin politik nuk do lejojmë që të zvogëlohet apo deformohet”.