Qeveria nuk po planifikon asnjë rritje të çmimeve të energjisë elektrike. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, në një intervistë për A2 CNN, ka hedhur poshtë akuzat për planifikimin e një shtrenjtimi të tarifave, si pamundësi e buxhetit për të përballuar rritjen e pagave.
“Kryeministri nuk tha që do të diskutohet tarifa, pasi tarifën ne e kemi deklaruar në vitin më të zi për energjinë në mbarë botën, 2022, dhe treguam që ndryshe nga vendet e tjera europiane tarifa familjare dhe për bizneset e vogla dhe të mesme nuk u prek. Dhe kur nuk u prek vjet, imagjinoni sa mund të preket sivjet”, deklaroi Balluku.
Zv/kryeministrja deklaroi se me ardhjen e sezonit veror, situata energjetike përkeqësohet për Shqipërinë dhe të gjitha vendet e tjera të rajonit që mbështeten mbi prodhimin nga hidrocentralet. Ky moment, do të shtyjë qeverinë të nisë një analizë të situatës dhe të shqyrtojë nëse do të aplikojë fashat. Edhe pse sipas Ballukut, të gjithë treguesit flasin për një probabilitet të ulët që kjo të ndodhë.
“Pavarësisht se kemi pasur prurje të mira, sot e kemi 296 metra nivelin e Fierzës, por nga ana tjetër, dihet që gjatë verës e gjithë zona e Ballkanit perëndimor fillon të vuajë sa i përket prodhimit të hidrocentraleve. Dhe kryeministri tha diçka që e kemi thënë edhe një vit më parë, që nëse kemi një moment vështirësie, do të na duhet të rishikojmë dhe të analizojmë çështjen e fashës. Në rast se tregu energjetik do të fillojë prapë të aplikojë çmime të çmendura. Por gjasat janë që këtë vit të jetë i qëndrueshëm”, tha ministrja.
Balluku, ndërkohë shprehu pritshmëritë se nga viti i ardhshëm kur të përfundojë një pjesë e madhe e projekteve të energjisë së rinovueshme, edhe efekti i bursës së energjisë, do të jetë më i plotë në treg.
Çmimi i blerjes së energjisë në bursat pranë Shqipërisë varion sot nga 76 deri në 100 euro për megavat orë, teksa një vit më parë çmimi më i ulët niste nga 208 euro për njësi.