Avokati i ish-kryeministrit Sali Berisha, Genc Gjokutaj, në një prononcim për mediat tha se për klientin e tij nuk ka seancë gjyqësore pasi vendimi i gjykatës nuk është ekzekutuar.
Ai e cilësoi vendimin të paligjshëm dhe si i tillë, theksoi se nuk mund të pranohet prej kryedemokratit.
“Zoti Berisha nuk ka seancë gjyqësore, pasi vendimi nuk është ekzekutuar, pasi ai është vendim i paligjshëm dhe si i tillë nuk mund të pranohet nga zoti Berisha. Ky është një proces i parregullt ligjor dhe në momentin kur Berisha nuk ka marrë dijeni dhe nuk është ekzekutuar ky vendim, ai nuk është pjesë e këtij procesi. Tani këtë ngërç procedurial duhet ta zgjidhin ata që e krijuan. Janë vendime të njëanshme të prokurorisë.”
I pyetur nëse do vijë Berisha në gjykatë, avokati u përgjigj: “Do pyesim zotin Berisha”.
Pasi morën vendimin e gjykatës që pranonte kërkesën e SPAK për caktimin e masës së sigurisë detyrim paraqitje dhe ndalim për të dalë jashtë vendit ndaj ish-kryeministrit, oficerët e policisë shkuan mbrëmjen e së shtunës në selinë e Partisë Demokratike.
Ata qëndruan aty për rreth 60 minuta, por pa mundur t’ia komunikojnë vendimin e gjykatës ish-kryeministrit.
Sali Berisha bëri të ditur për mediat se nuk pranoi t’i takonte oficerët e policisë. Ai shpjegoi se vendimi i gjykatës ndaj tij është në shkelje të Kushtetutës, pasi nuk mund t’i kufizohet liria një deputeti, pa vendimin e Parlamentit.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin për korrupsion pasiv për çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.